Rama-Sekretares britanike: Zhgënjyese retorika e ekstremit të djathtë ndaj shqiptarëve, kontribuues në ekonominë tuaj

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratave të Ministres së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, e cila përmendi “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në akomodim të financuar nga taksat pas kërkesave të refuzuara për azil, si argument për rinisjen e kthimeve familjare.

“Mjaft zhgënjyese të dëgjosh Ministren e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar @ShabanaMahmood të përmendë “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në akomodim të financuar nga taksat pas kërkesave të dështuara për azil si justifikim për rinisjen e kthimeve familjare”, u shpreh Rama në një postim në platformën X.

“Si mundet një Ministre e Brendshme Laburiste të përsërisë kaq keq retorikën e ekstremit të djathtë populist dhe të veçojë 700 familje shqiptare një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Britanisë post Brexit pikërisht në momentin kur Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme në Evropë për migracionin e paligjshëm”, theksoi kreu i qeverisë.

“Dua t’i kujtoj Ministres së Brendshme se falë punës së përbashkët intensive që nga fundi i vitit 2022 mbërritjet e parregullta nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar pothuajse janë zhdukur. Kontrolli i migracionit ka funksionuar. Ndërkohë kufizimet e lëvizjes dhe të vizave nga pala britanike mbeten një relike dështimi e epokës Braverman që dëmton si lirinë themelore të lëvizjes së njerëzve ashtu edhe ekonominë britanike”, u shpreh Rama.

“Të jemi të qartë, shqiptarët janë kontribuues neto në ekonominë britanike dhe numri i shqiptarëve që marrin përfitime në Mbretërinë e Bashkuar është shumë i ulët krahasuar me komunitete të tjera. T’i veçosh ata në mënyrë të vazhdueshme nuk është politikë është një akt shqetësues dhe i pahijshëm demagogjie”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama theksoi se, “Shqipëria është dhe do të mbetet një nga aleatët më aktivë të Mbretërisë së Bashkuar në kontrollin më të gjerë të migracionit në Ballkan. Mbretëria e Bashkuar duhet të kërkojë mënyra për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha çështjet e sigurisë nga mbrojtja te kontrolli kufitar, dhe jo të fajësojë vazhdimisht shqiptarët duke i ekspozuar qytetarët e një vendi aleat ndaj rreziqeve të shtuara përfshirë nga grupet ekstremiste që ushqehen nga narrativa të tilla”.

“Politika zyrtare nuk duhet të udhëhiqet kurrë nga stereotipizimi etnik. Ky është minimumi që njerëzimi pret nga Britania e Madhe”, përfundoi reagimin e tij kryeministri Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit