Rama: T’i lëmë mënjanë dallimet, ekonomitë tona nuk mund..

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, çështjet dypalëshe mes vendeve të rajonit duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut.

Në fjalën e tij në samitin BE – Ballkani Perëndimor mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor që po mbahet sot në Tiranë, Rama u shpreh se, “unë e pranoj se ndryshe nga Shqipëria disa nga vendet e rajonit përballen me çështje komplekse midis tyre, megjithatë bëj thirrje që t’i lëmë mënjanë këto dallime për një punë bashkëpunuese dhe jetike që kemi përpara, me synim për të transformuar rajonin e vendet tona”.

Sigurisht, shtoi Rama, “çështjet dypalëshe mbeten, por duhen zgjidhur përmes bashkëpunim e dialogut dypalësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh”.

“Pikërisht 10 vjet më parë udhëheqësit e 6-shes e Ballkanit Perëndimor u takuan në zyrën e Kancelarit në Berlin për herë të parë në historinë tonë. Objektivi nuk ishte për t’u marrë me plagët e së shkuarës, por për të kapur të ardhmen që përkon bashkëpunimin tonë si një kusht themelor për anëtarësimin në BE. Sot ky kusht nuk është vetëm një parim i sjelljes së mirë, por një kriter për të vlerësuar pjekurinë tonë të shteteve përmes planit të ri të rritjes”, tha Rama.

“Përgjatë këtyre 10 viteve Procesi i Berlinit na ka dëshmuar sesa më lehtë të thuash sesa të bësh është sigurimi aktual i lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit”, u shpreh kreu i qeverisë.

“Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ndërmorën nismën e “Ballkanit të Hapur” për të përshpejtuar progresin bazuar në parimet e Procesit të Berlinit”, theksoi Rama.
“Me planin e ri të rritjes tashmë në fuqi domosdoshmëria është e qartë, ose do të ndërmarrim hapa të nevojshëm për të ecur më pranë BE-së dhe njëri-tjetrit ose të rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend në tryezën e BE-së e për t’u dhënë ekonomive e qytetarëve tanë një siguri për nevojat e tyre për vitet që vijnë. O e bëjmë së bashku, o dështojmë së bashku”, nënvizoi Rama.

“Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra-tjetrës e as mund të sigurohet mirëqenie për njerëzit tanë pa instrumentet e paqes e bashkëpunimit përtej kufijve, përtej gjuhëve dhe përtej varianteve të ndryshme të historisë. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë ose mungesa e kësaj begatie do të na bëjë të humbasim paqen.

Kështu funksionon BE, kështu duhet të funksionojë edhe Ballkani Perëndimor”, theksoi Rama.

“BE është tashmë më e gatshme se kurrë të na ndihmojë që të bëhemi pjesë e konstelacionit të saj. Duhet të jemi ne tashmë të gatshëm se kurrë të ndihmojmë veten për të mos e humbur këtë dritare të re të hapur mundësie”, tha Rama.

“Më vete jemi të gjithë të vegjël dhe rëndësia jonë për kontinentin më të pasur të botës është gati e papërfillshme. Por së bashku ne mbartim rëndësi e potencial të madh për mundësi pozitive”, u shpreh kryeministri Rama.

“Si mund të bëhemi më të lirë e më të mëdhenj nëse kamionët tanë të eksport-importit duhet të presin ende 26 milionë orë në vit në kufijtë tanë rajonal? Si mund të mos heqim barrierat jo tarifore, tanimë dhe të humbasim vit pas viti një rritje potenciale me 3% çdo vit vetëm duke e bërë këtë. A mos jemi të çmendur, a mos jemi dembelë, a mos jemi budallenj apo çfarë jemi?”, tha Rama.

“A nuk është ende e qartë për gjithësecilin prej nesh se nuk ka një rrugë të shkurtër në këtë rrugëtim dhe nuk ka drekë falas në BE?”, përfundoi Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit