Më 13–14 tetor, Tirana do të jetë mikpritëse e Forumit të Investimeve EU–WB6, një ngjarje me rëndësi të madhe strategjike për rajonin dhe më gjerë.
Kryeministri Edi Rama e cilëson këtë forum si “një ngjarje historike që bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor, vendimmarrësit e Bashkimit Europian dhe investitorë nga e gjithë bota”.
Në një postim të bërë këtë mëngjes të 10 tetorit, Rama e konsideron këtë forum, si “një tjetër hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik në rajon”.
Ky forum vjen në një moment kyç për integrimin evropian të rajonit dhe synon të thellojë partneritetet ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, duke hapur dyert për projekte të reja investimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.