Rusia përshkallëzon sulmet ndaj rajonit kyç ukrainas të Odesës

Mos i humb

Rusia ka intensifikuar ndjeshëm sulmet ndaj rajonit jugor ukrainas të Odesës, duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike dhe duke vënë në rrezik serioz infrastrukturën detare të zonës. Autoritetet ukrainase paralajmërojnë se Moska po ndjek një strategji të qëndrueshme për të goditur një nga pikat më jetike ekonomike të vendit.

Zëvendëskryeministri i Ukrainës, Oleksiy Kuleba, deklaroi se Rusia po kryen sulme “sistematike” ndaj Odesës, duke shtuar se që javën e kaluar kishte paralajmëruar se fokusi i luftës “mund të jetë zhvendosur drejt këtij rajoni”. Edhe presidenti Volodymyr Zelensky theksoi se sulmet e përsëritura synojnë të bllokojnë aksesin e Ukrainës në logjistikën detare.

Në fillim të dhjetorit, presidenti rus Vladimir Putin kishte kërcënuar se do t’i priste Ukrainës daljen në det, si hakmarrje për sulmet me dronë ndaj tankerëve të ashtuquajturës “flotë hije” ruse në Detin e Zi. Ky term përdoret për qindra cisterna që Rusia i përdor për të anashkaluar sanksionet perëndimore të vendosura pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Të hënën në mbrëmje, sulmet goditën infrastrukturën portuale të Odesës, duke dëmtuar edhe një anije civile, sipas guvernatorit rajonal. Këto ishin pjesë e një serie prej qindra goditjesh që prej ditësh kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe kanë shkaktuar viktima.

Të dielën në mbrëmje, një valë sulmesh la pa energji elektrike rreth 120 mijë persona dhe shkaktoi një zjarr në një port të madh, ku u shkatërruan dhjetëra kontejnerë me miell dhe vaj vegjetal. Javën e kaluar, një raketë balistike goditi portin e Pivdenniy-t, në lindje të Odesës, duke vrarë tetë persona dhe plagosur të paktën 30 të tjerë. Një tjetër sulm më herët gjatë javës vrau një grua që udhëtonte me makinën e saj së bashku me tre fëmijët dhe ndërpreu përkohësisht funksionimin e urës së vetme që lidh rajonin e Odesës me Moldavinë.

Presidenti Zelensky bëri të ditur se së shpejti do të emërohet një komandant i ri i forcave ajrore për rajonin, pas shkarkimit të Dmytro Karpenko gjatë fundjavës.

Porti i Odesës ka qenë gjithmonë jetik për ekonominë ukrainase. Qyteti është i treti më i madh në vend pas Kievit dhe Harkivit dhe ka marrë rëndësi strategjike edhe më të madhe, pasi portet e tjera në rajonet Zaporizhzhia, Kherson dhe Mykolaiv janë të paarritshme për Ukrainën për shkak të pushtimit rus.

Pavarësisht luftës, Ukraina mbetet një nga eksportuesit kryesorë botërorë të grurit dhe misrit. Që nga gushti i vitit 2023, Odesa është pika e nisjes së një korridori jetik për eksportin e drithërave, i cili ndjek brigjet e Rumanisë dhe Bullgarisë përpara se të arrijë në Turqi.

Zelensky, i cili më herët ka akuzuar Rusinë për “mbjellje kaosi” në mesin e banorëve të Odesës, deklaroi se “të gjithë duhet ta shohin se pa presion ndaj Rusisë, ajo nuk ka asnjë qëllim për ta ndalur realisht agresionin e saj”.

Deklaratat e tij erdhën në kohën kur në Miami u mbyll raundi i fundit i përpjekjeve diplomatike të udhëhequra nga SHBA-të. Uashingtoni zhvilloi takime të ndara me delegacionet ukrainase dhe ruse, të cilat prodhuan deklarata optimiste, por pa përparim konkret drejt përfundimit të luftës gati katërvjeçare.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit