Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani, priti në një takim zyrtar Koordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Ingrid Macdonald.
Ky takim vjen edhe pas marrjes nga Shabani të mandatit si Presidenti i Organizatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut (AOM). Gjatë bisedës, vëmendja u përqendrua te gjendja aktuale e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe te domosdoshmëria e një angazhimi të koordinuar mes institucioneve vendase dhe aktorëve ndërkombëtar.
Shabani dhe znj. Macdonald nënvizuan se mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës mbeten shtyllat kryesore mbi të cilat duhet të mbështeten përpjekjet e përbashkëta për të përshpejtuar rrugën e progresit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër, u diskutuara mbi rëndësinë e sinkronizimit të punës së Avokatit të Popullit me agjencitë e OKB-së.
Macdonald vlerësoi vizionin e ri të institucionit dhe rikonfirmoi mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për nismat që synojnë forcimin e institucioneve demokratike dhe garantimin e një shoqërie më të drejtë e transparente për të gjithë qytetarët shqiptarë.


