Shehu për buxhetin e Shëndetësisë: Të arrijmë në 80% të rimbursimit të barnave

Mos i humb

Në punimet e Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu paraqiti dy amendamente për buxhetin 2026 të MSHMS.

Deputeti Shehu tha se amendamentet e tij kanë të bëjnë vetëm me sektorin e shëndetësisë të MSHMS, dhe jo me pjesën sociale.

“Ajo që përcakton rritjen e një buxheti në vite nuk është vlera absolute e shifrave, por është përfaqësimi i tij në përqindjen e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të vendit. Vlera absolute është relative, varet nga çmimet, nga monedha, nga inflacioni dhe shumë elementë të tjerë. Po të shikojmë buxhetin e MSHMS, ai është rreth 3.9% e PBB, por duke hequr pjesën sociale, ngel 2.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Shehu.

Shehu tha se ka një rritje të kontributeve direkte që keni kaluar në 1% të PBB-së.

“Qëndrojmë në 2.8%, por keni një rënie të lehtë në krahasim me vitin e kaluar. Edhe sikur të ishte njëlloj kemi nga një vit në një vit, kur Prodhimi Bruto është rritur, pesha e sistemit shëndetësor është zvogëluar. Po të ishit me tempin e rritjes lineare, ju duhet të kishit sot një buxhet prej 3.2% të PBB. Buxheti është zvogëluar dhe kjo është hera e parë që ndodh në historinë e buxheteve. Kjo tregon se sistemi shëndetësor do të vuajë akoma më shumë në vitin që vjen pavarësisht vlerës absolute”, tha Shehu.

Deputeti i PD-së u shpreh se varfëria për qytetarët do të thellohet. Sipas tij, jo vetëm që nuk ka përmirësim të situatës, por nëse do të ndiqen direktivat e OBSH-së, për nivelin ekonomik të Shqipërisë, pesha e sistemit shëndetësor duhet të jetë jo më pak se 4% e PBB-së.

“Ne jemi sot vendi më i varfër në Evropë, por rrezikohet të kthehemi afër vendeve afrikane. Kjo bën që qytetarët të paguajnë. Shëndetësia falas është gënjeshtra më e madhe. Shëndetësia kushton kudo. Jemi në një situatë varfërie shëndetësore, që pasqyrohet në mangësitë e sistemit shëndetësor, me numrin më të ulët të mjekëve për 1000 banorë, në rënien e peshës e shpenzimeve për shëndetësinë te qytetarët, të cilët janë mbi 50% të financimit sipas Bankës Botërore”, theksoi ai.

Shehu kërkoi që financimi vetëm për shëndetësinë të rritet 1% të GDP-së për të shkuar afër 4%, sipas direktivës së OBSH-së.

Sa i takon amendamentit të dytë, Shehu tha se ka një import medikamentesh në vit rreth 320 milionë euro dhe një rimbursim rreth 110 milionë euro në total.

“Ka dy probleme të mëdha, që jeni në nivelin e rimbursimit nën 50%. Në BE ka vende që e kanë 98% nivelin e rimbursimit të ilaçeve. Kërkoj që të arrijmë në 80% të rimbursimit të barnave. Pra, në rritjen e GDP afër 4% për shëndetësinë, një pjesë të kalojë te rimbursimi i medikamenteve”, pohoi Shehu.

Deputeti i PS-së, njëherësh nënkryetari i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, Eduard Shalsi tha se buxheti i MSHMS ka kaluar nga 250 milionë në 750 milionë euro. Një rritje e tillë e buxhetit sipas Shalsit ka mundësuar edhe shtimin e kapaciteteve spitalore dhe shërbimeve të kujdesit parësor.

“Janë rindërtuar 53 spitale, nga të cilët 10 janë spitale të rinj duke përfshirë edhe spitalin Memorial Fier që është një model i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe inovacionit. Janë rehabilituar mbi 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca në gjithë territorin e Shqipërisë duke përmirësuar aksesin dhe cilësinë e shërbimit. Fondi i barnave të rimbursueshme është pasuruar me 200 medikamente të reja. 210 mijë pensionistë i përfitojnë falas ilaçet. Është fakti i pamohueshëm që shëndetësia e 2025 nuk ka të krahasuar me atë të vitit 2013”, tha Shalsi.

Amendamentet e deputetit Shehu u rrëzuan me shumicë votash kundër.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit