Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat zhvilloi sot një seancë dëgjimore me përfaqësues të Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë dhe Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, ku u diskutua projektbuxheti 2026 dhe mbështetja financiare për pushtetin vendor.
Në emër të Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, Adelina Fariçi vlerësoi rritjen e buxhetit për qeverisjen vendore në vitin 2026, por njëkohësisht parashtroi një sërë propozimesh dhe shqetësimesh të ngritura nga kryetarët e bashkive gjatë procesit të konsultimit.
Ajo parashtroi nevojën që të rritet kufiri i financimit 1% të PBB për financat lokale.
“Aktualisht në ligj është vendosur një tavan prej 1% të PBB për fondet e dedikuara bashkive, i cili është respektuar çdo vit. Ne kërkojmë që ky nivel të rritet gradualisht, vit pas viti, për t’u ardhur në ndihmë bashkive në përballimin e sfidave lokale dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët”, tha ajo.
Përfaqësuesja e bashkive propozoi që transferta e pakushtëzuar të mos trajtohet më si tavan, por si dysheme garantuese për financat e çdo bashkie. Gjithashtu kërkoi të sigurohen fonde shtesë për transferën e pakushtëzuar sektoriale, duke qenë se bashkitë përballen me rritje të kostove të shërbimeve.
Fariçi vlerësoi gjithashtu se Granti i Performancës, aktualisht në nivelin 200 milion lekë, ka sjellë konkurrencë pozitive mes bashkive, duke kërkuar që ky grant të rritet në vitet në vijim.
Gjithashtu ajo propozoi krijimin e një fondi të posaçëm investimesh për pushtetin lokal, i cili të mos jetë i bazuar në konkurrim, pasi në këtë skemë bashkitë më të vogla shpesh mbeten të përjashtuara.
“Kërkoi rishikimin e heqjes së TVSH-së për investimet dhe shërbimet e bashkive dhe sigurimin e një skeme më të drejtë dhe të balancuar për financimin e projekteve vendore”, vuri në dukje ajo.
Në lidhje me fondet për emergjencat civile, Fariçi kujtoi se ligji parashikon një nivel 4% të buxhetit, por ky nivel aktualisht nuk është i realizuar dhe kërkoi që të merren masa për ta zbatuar plotësisht.
Ajo theksoi se të gjitha propozimet e parashtruara janë rezultat i një procesi të gjerë konsultimi me kryetarët e bashkive në të gjithë vendin, duke reflektuar nevojat reale të qeverisjes vendore dhe detyrimet në rritje që bashkitë kanë ndaj komuniteteve të tyre.


