Këtë të mërkurë, më 22 tetor, kryeqyteti britanik do të presë një nga ngjarjet më të rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor: Samitin e Berlinit. Një takim i nivelit të lartë që mbledh së bashku liderët e gjashtë vendeve të rajonit me përfaqësues të lartë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian.
Këtë vit, samiti fokusohet në këto tema: siguria rajonale, zhvillimi ekonomik dhe çështjet e migracionit. Të pranishëm në Londër do të jenë, kryeministri Edi Rama, si dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të cilët do të ndajnë të njëjtën tryezë për herë të parë pas një serie polemikash publike lidhur me zhvillimet e fundit në Tiranë dhe qëndrimet mbi Gjykatën Speciale.
Përveç diskutimeve, gjatë takimit do të nënshkruhen deklarata të përbashkëta për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe për koordinimin energjetik, një prioritet ky gjithnjë e më i rëndësishëm në kontekstin e sfidave globale të energjisë dhe tranzicionit të gjelbër.
Procesi i Berlinit, në kuadër të të cilit zhvillohet ky samit, është një nismë ndërkombëtare që synon të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian, përmes thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe nxitjes së reformave strukturore.