Kryetari i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, Bardh Spahia theksoi sot se “të drejtat e njeriut dhe liritë themelore janë të garantuara nga shumica e traktateve dhe konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Por, zbatimi i tyre dhe siguria juridike për ushtrimin e këtyre të drejtave vazhdojnë të paraqesin probleme”.
I pranishëm në punimet e Sesionit II të takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, Spahia tha se “sipas Komisionit Evropian vendi ynë duhet të intensifikojë përpjekjet veçanërisht në lidhje me dhunën ndaj grave, mbrojtjen e pronës private dhe të drejtat e minoriteteve”.
“Rekomandimet e raportit të mëparshëm të progresit nuk janë zbatuar dhe për rrjedhojë mbeten të vlefshme për raportin më të fundit të progresit në veçanti sa i përket miratimit të legjislacionit për zbatimin e të drejtave të personave që u përkasin pakicave, për identifikimin dhe përdorimin e gjuhëve të pakicave dhe forcimin e kapaciteteve të Komitetit Shtetëror për Pakicat Kombëtare”, nënvizoi Spahia.
Spahia u shpreh se “mbeten të vlefshme edhe garantimi i të drejtës së pronës veçanërisht përmes përparimit vendimtar në procesin e regjistrimit fillestar dhe kompensimit; përmirësimit të transparencës së Kadastrës Shtetërore dhe cilësisë së të dhënave të Regjistrit Kadastral të Pronës; sigurimi për një proces të rregullt ligjor dhe e drejta për mjet efektiv juridik të respektohet në raste të shpronësimeve dhe prishjes së pronave”.
Një tjetër aspekt, vijoi Spahia është përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave themelore në veçanti përmes përafrimit të plotë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale me Acquis communautaire të BE-së, forcimi i kapaciteteve institucionale në fushën e të drejtave të njeriut, siç është monitorimi dhe mbledhja e të dhënave dhe zbatimi efektiv i agjendës kombëtare për të drejtat e fëmijëve, për ndihmën ndaj fëmijëve që përballen me përjashtim dhe vështirësi, përfshirë ata që jetojnë në varfëri, fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët në varfëri dhe që i përkasin pakicave dhe fëmijët në rrezik.
Sipas tij, kuadri i përgjithshëm i të drejtave themelore ka nevojë për përmirësim.
“Shqipëria është palë në shumicën e institucioneve kryesore ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, megjithatë vendi nuk e ka nënshkruar ende protokollin nacional të konventës ndërkombëtare për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore. Shqipëria duhet të zhvillojë një sistem gjithëpërfshirës monitorimi dhe mbledhje të të dhënave për të zbatuar nivelin e zbatimit të legjislacionit, politikave dhe strategjive për të drejtat e njeriut”, tha Spahia.
“Konkretisht, të drejtën për shëndetësi, qytetarëve duhet t’u mundësohet trajtim i përshtatshëm sipas nevojave, duke u siguruar dinjitet e shëndet, si rasti i Spitalit Onkologjik, ku pacientëve me sëmundje tumorale nuk u ofrohen shërbimet jetike si brakiterapia, përfshirë barnat që mungojnë etj. Shqipëria vijon të ketë shpenzimet më të ulëta në shëndetësi krahasuar me vendet e tjera të rajonit, vetëm 2,6% e PBB-së për vitin korrent”, tha Spahia.


