“Teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare”, reagon Rama pas vizitës që i bëri Thaçit në Hagë

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot më 18 dhjetor 2025 pas vizitës që i bëri ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë, duke e cilësuar procesin ndaj tij si një padrejtësi të rëndë në zemër të Evropës.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Rama e përshkroi Gjykatën Speciale si godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare, duke theksuar se Thaçi u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës.

Kreu i qeverisë shqiptare shkruan se çështja ndaj ish-krerëve të UÇK-së është një farsë e nisur për trafik organesh” dhe asesi nuk mund ta përdhosë Luftën Çlirimtare të Kosovës. Rama akuzon drejtpërdrejt se kjo çështje ka rrënjë politike antishqiptare, duke e cilësuar procesin në Hagë si të mbushur me absurditete dhe dëshmitarë groteskë të akuzës ndërkombëtare.

Duke folur për takimin me Thaçin, Rama shprehet se e ka gjetur atë në formë, të qetë e të buzëqeshur, si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, pavarësisht, siç thotë ai, ndalimeve absurde të të drejtave minimale, të cilat i cilëson si një turp më vete. Sipas kryeministrit, gjatë vizitës kanë biseduar për familjet, miqtë e përbashkët, Shqipërinë dhe Kosovën, si edhe për libra që ai i kishte dërguar më herët dhe gjatë kësaj vizite, përfshirë veprën “Skënderbeu” të Aurel Plasarit dhe librin e fundit të Henry Kissingerit.

Në postimin e tij, Rama shpreh indinjatë për atë që e quan padrejtësi ulëritëse të ndodhur me bekimin dhe fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli që, sipas tij, çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist. Ai thekson se kjo situatë përbën një kontradiktë të rëndë me vlerat e Evropës së demokracisë dhe shtetit ligjor.

Në përfundim, kryeministri shpreh mbështetje të hapur për Kosovën, UÇK-në dhe ish-drejtuesit e saj që ndodhen në paraburgim, duke u shprehur me superlativa për UÇK-në. “Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”, shkroi Rama.

Kujtojmë se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi si dhe liderë të tjerë të UÇK-së mbahen në burg prej disa kohësh në Hagë, me akuza për krime lufte. Në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë dalë politikanë, personalitete si dhe shqiptarë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit