Ministrat e jashtëm nga tetë vende do të mblidhen sot në Stamboll për të diskutuar hapat e mëtejshëm në zbatimin e planit të paqes për Gazën.
Sipas autoriteteve turke, takimi do të përfshijë diplomatët e lartë të të njëjtave vende me shumicë myslimane që u takuan me presidentin amerikan Donald Trump në Nju Jork në shtator. Përveç Turqisë, këto vende janë Katari, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Pakistani dhe Indonezia.
Diskutimet pritet të përqendrohen në forcimin e armëpushimit të brishtë mes Izraelit dhe Hamasit, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, si dhe në fazën e dytë të planit të paqes të propozuar nga Trump.
Plani me 20 pika parashikon çarmatimin e Hamasit dhe përjashtimin e tij nga çdo rol politik i ardhshëm në Rripin e Gazës , dy çështje shumë të debatueshme. Ai gjithashtu parashikon krijimin e një force ndërkombëtare për të ndihmuar në stabilizimin e sigurisë në territorin palestinez.
Turqia, e cila mban kontakte të ngushta me Hamasin, ka luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin e armëpushimit. Para takimit të sotëm, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan zhvilloi bisedime të shtunën në Stamboll me anëtarë të byrosë politike të Hamasit për të diskutuar rreth zbatimit të armëpushimit.
Ankaraja mbështet një zgjidhje afatgjatë me dy shtete, që do të mundësonte bashkëjetesën paqësore midis Izraelit dhe një shteti të pavarur palestinez.


