Vuçiç vendos kushtin: NIS mund të shitet, por rafineria duhet të punojë

Mos i humb

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi të martën, 30 dhjetor, se kushti i vetëm që Serbia ka vendosur për shitjen e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila ndodhet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara për shkak të pronësisë ruse, është që rafineria e saj të vazhdojë funksionimin.

Për shkak të pamundësisë për të importuar naftë të papërpunuar, më 2 dhjetor u mbyll rafineria e Pançevës, e vetmja në Serbi dhe objekti më i rëndësishëm në pronësi të NIS-it.

“Kushdo që ta blejë NIS-in, rafineria duhet të punojë. Përndryshe, ata nuk do të operojnë në Serbi. Ky është kushti i vetëm që kemi”, tha Vuçiç gjatë konferencës vjetore për shtyp në Beograd.

Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit amerikan të Thesarit nisi zbatimin e masave ndaj NIS-it më 9 tetor. Kushti i SHBA-ve për heqjen e kompanisë nga regjimi i sanksioneve është largimi i aksionarëve rusë nga struktura e pronësisë.

Vuçiç theksoi se stabiliteti energjetik i Serbisë është ruajtur, pavarësisht sanksioneve amerikane ndaj NIS-it, duke shtuar se për 83 ditë kompania nuk ka marrë naftë të papërpunuar përmes naftësjellësit.

“Po shpenzojmë rezervat. Imagjinoni nëse ngrin Danubi ose bie niveli i ujit, pa të cilin nuk mund ta kompensojmë furnizimin me karburant. Nevojat tona ditore janë 6.000 tonë naftë dizel”, tha Vuçiç.

Për shkak të sanksioneve amerikane, është ndërprerë transporti i naftës përmes Naftësjellësit Adriatik (JANAF) nga Omišali drejt rafinerisë së Pançevës. Më herët, nafta për NIS-in nga Kroacia transportohej me rrugë detare.

OFAC më 24 dhjetor i dha NIS-it një licencë, me të cilën afati për negociatat mbi shitjen e pjesës ruse të pronësisë u shty deri më 24 mars 2026, por pa lejuar rifillimin e plotë të aktivitetit të biznesit.

Zyrtarë nga Hungaria dhe Serbia kanë njoftuar muajt e fundit se kompania hungareze MOL dhe ADNOC nga Emiratet e Bashkuara Arabe janë të interesuara për blerjen e NIS-it. Megjithatë, këto kompani nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me një blerje të mundshme.

Aktualisht, NIS është kryesisht në pronësi ruse: një fond nga Shën Petersburgu, kompania shtetërore Gazprom dhe dega e saj Gazprom Neft zotërojnë 56.15 për qind të aksioneve. Serbia ka 29.87 për qind, ndërsa rreth 14 për qind janë në pronësi të aksionarëve më të vegjël.

NIS iu shit Gazprom-it në janar të vitit 2008, në bazë të një marrëveshjeje ndërqeveritare ruso-serbe për bashkëpunim në sektorin e naftës dhe gazit, për 400 milionë euro. Deri më tani, nuk ka informacione zyrtare për vlerën aktuale të tregut të pjesës ruse në kompani.

Serbia mbetet shumë e varur nga energjia ruse. NIS furnizon rreth 80 për qind të tregut të brendshëm me derivate të naftës, ndërsa rreth 80 për qind e gazit natyror për qytetarët dhe ekonominë importohet nga Rusia.

Beogradi dhe Moska kanë marrëdhënie të ngushta politike, ekonomike dhe ushtarake. Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2012, por nuk iu bashkua sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit