Xhixho: Rritja e çmimit të naftës godet ekonominë e familjeve shqiptare

Mos i humb

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi sot se rritja e çmimit të karburantit godet drejtpërdrejt ekonominë e familjeve shqiptare.

Në një deklaratë për mediet, Xhixho u shpreh se çmimi i naftës është rritur përsëri dhe sot ka arritur në rreth 1.95 lekë për litër.

“Sa herë rritet nafta, rriten menjëherë çmimet e ushqimeve, transportit dhe të çdo shërbimi të përditshëm. Buka, qumështi, vaji, mielli dhe produktet më bazike bëhen çdo ditë e më të shtrenjta, ndërsa barra mbi qytetarët dhe bizneset rëndohet gjithnjë e më shumë”, u shpreh ajo.

Sipas Xhixhos, “40% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqime dhe për të mbijetuar”.

“Në të njëjtën kohë, Shqipëria vazhdon të paguajë naftën më të shtrenjtë në rajon.
Sot qytetarët shqiptarë paguajnë rreth 1.95 euro për litër, ndërkohë që në Kosovë çmimi është rreth 1.18 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi rreth 1.27 euro”, shtoi ajo.

Kjo diferencë e madhe, sipas Xhixhos, lidhet drejtpërdrejt me nivelin e lartë të taksave dhe akcizave, të cilat përbëjnë rreth 60% të çmimit të naftës në vend.

“Për pasojë, çdo rritje e karburantit përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve për ushqimet, të cilat i kemi 50% më të shtrenjta se BE. Qytetarët paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë për nevojat më bazike, ndërkohë që përballen me pagat më të ulëta. Ndërkohë kemi dhe fuqinë më të dobët blerëse në rajon”, tha Xhixho.

Ndaj Xhixho kërkoi që të miratohet me procedurë të përshpejtuar propozimi i Parisë së Lirisë për pezullimin deri në fund të vitit 2028 të Taksës së Qarkullimit dhe të Taksës së Karbonit.

“Ky është një hap i domosdoshëm për të ulur çmimin e naftës dhe për të lehtësuar barrën që sot rëndon mbi familjet dhe bizneset shqiptare. Kjo masë do të ndikonte drejtpërdrejt në frenimin e rritjes së kostos së jetesës, në stabilizimin e çmimeve dhe në mbështetjen e ekonomisë familjare në një moment të vështirë ekonomik”, tha Xhixho.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit