Myftiu i Kosovës Tërnava uron besimtarët për muajin e Ramazanit

Mos i humb

 

 

 

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët muslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë dhe të bekuar të Ramazanit.

Në një konferencë për media Myftiu Tërnava i cili lexoi mesazhin e tij për muajin e Ramazanit tha se agjërimi është një kurs edukativ i cili përgjatë muajit të tërë në mënyrë intensive punon për të formësuar në mënyrë të përsosur personalitetin e besimtarit dhe lidhjet e tij me Zotin dhe të tjerët.

Ai kujtoi objektivin kryesor që ka agjërimi duke thënë se Zoti i Madhërishëm në Kuranin fisnik ka urdhëruar agjëriminin që njerëzit të mund të ruhen nga të këqijat.

“Ramazani në mënyrë simbolike shënon edhe fillimin e shpalljes së Kuranit. Librit i cili përshkruan më së miri rrugën që ne duhet ndjekur për të realizuar këtë qëllim, pra devotshmërinë. Në Ramazan lidhja e njeriut me Zotin bëhet edhe më e fuqishme për shkak të mundësive të shumta që Zoti i ka lënë në dispozicionin tonë për të na falur dhe mëshiruar”, tha Tërnava duke porositur se duhet ta duam njëri-tjetrin dhe të jemi të mëshirshëm ndërmjet veti, në këtë muaj të Ramazanit i cili “në mënyrë figurative është rrezatim i dashurisë dhe mëshirës së Zotit ndaj njeriut”.

Tërnava tha se agjërimi synon krijimin e një klime dashurie, respektimi, gëzimi ku i pasuri dhe i varfëri takohen shpesh në namaze, iftare dhe nisma të ndryshme dhe nuk e harrojnë njëri tjetrin.

“Agjërimi është shkollë humanizmi. Vlerat solidare e bëjnë humanizmin një mundësi më shumë për të zbutur varfërinë dhe për të lidhur pjesëtarët e shoqërisë ndërmjet vete. Mënyra se si arrihet kjo në Ramazan është e rrallë ose është karakteristikë veç e Ramazanit. Manifestimi i agjërimit duke abstenuar nga ushqimi dhe pija sipas disa dijetarëve myslimanë është bërë për t’ia kujtuar të pasurit shijen e hidhur të urisë që të varfërit e kanë përditshmëri, pra është edukim praktik, vetëdijësim konkret dhe jo vetëm”, tha Tërnava.

Duke kujtuar klimën e dashurisë, respektimit dhe gëzimit që krijohen në mes njerëzve gjatë muajit Ramazan këtë muaj, Tërnava tha se ato kulmojnë me dhënien e sadakasë në fund të muajit, të cilin siç thotë Pejgamberi Muhammed alejhiselam “ia ka obliguar dhënien e lëmoshës si pastrim për agjëruesin dhe ushqim për nevojtarët”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit