Ndalimi i rreptë nga shirku dhe sqarimi se ai është mëkati më i madh!

Mos i humb

Ndalimi i rreptë nga shirku dhe sqarimi se ai është mëkati më i madh

Allahu i Madheruar thote: “Vërtetë, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ka bërë gjynah të tmerrshëm.” [Nisa 48].

“Vërtetë, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ai me të vërtetë, ka humbur dhe është larguar shumë prej udhës së drejtë.” [Nisa 116].

“Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës.” [Maide 72].

“Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben shpendi ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur.”
[Haxh 31].

“Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.”
[Zumer 65].

-Ebu Hurejra (Allahu qofte i kenaqur prej tij) percjell se i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: Largohuni prej shtatë mëkateve shkatërruese.

E pyetën: O i Dërguari i Allahut cilat janë ato? Tha: Shirku (t`i besh Allahu ortak ne adhurim) ndaj Allahut, magjia, vrasja e nje njeriu qe Zoti e ka ndaluar, vetem se me te drejte, ngrenia e kamates, konsumimi i pasurise se jetimit, zbrapsja ne perballjen me armikun dhe akuza (shpifjet) ndaj besimtareve te ndershme.[1]
[Buhariu me nr 2766 dhe Muslimi me nr 89].

-Ebu Bekrate (Allahu qofte i kenaqur prej tij) percjell se Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thene: A doni t`u tregoj per mekatin më të madh (kete e perseriti tri here)? Ata thanë: Patjetër o i Dërguari i Allahut. Ai tha: T`i bësh ortak Allahut (në adhurim), mosrespektimi i prindërve dhe u ngrit pasi ishte i shtrirë dhe tha: Vini re! Fjalët e rreme, ai vazhdoi duke e persëritur (këtë fjalë) derisa thamë: Ah sikur të kishte heshtur.”[2]

[Buhariu me nr 2654 dhe Muslimi me nr 88].

-Abdullah bin Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: E pyeta të Dërguarin e Allahut, se cili është mëkati më i madh? Ai më tha: T`i bësh Allahut ortak ndërkohë që Ai të ka krijuar. I thashë: Po pas këtij mëkati cili vjen? Ai tha: Të vrasësh fëmijën tënd nga frika se mos ushqehet bashkë me ty(të konsumon rrizkun tënd).
Po më pas e pyeta përsëri? Tha: Të kryesh marrëdhënie jashtëmartesore me gruan e fqinjit tënd.”
[Buhariu me nr 4761 dhe Muslimi me nr 86].

-Abdullah bin Mes’udi tha: Në shenjë miratimi te fjalëve që tha i Dërguari i Allahut zbritën këto ajete ku Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë[3] dhe që nuk bëjnë kurvëri.”
[Furkan 68].

-Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Kush e takon Allahun pa i bërë ortak asgjë (në adhurim), e jep zekatin e pasurisë me shpirt të qetë(bindje të plotë) dhe duke pritur shpërblimin (tek Allahu), dëgjon dhe respekton, ky njeri do ketë xhenetin ose do të hyjë në xhenet. Pesë gjëra nuk kanë kefaret (shlyerje): Shirku ndaj Allahut te Lartësuar, vrasja e njeriut pa të drejtë, plaçkitja e besimtarit, zbrapsja nga fushëbeteja, betimi i rremë me anë të së cilit përfitohet një pasuri e padrejtë.”

[E percjell Ahmedi dhe senedi i këtij hadithi është i mirë].

-Ebu Derda (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “ I dashuri im (Profeti alejhis-salatu ues- selam) më ka porositur me pesë gjëra: Mos i bëj ortak Allahut asgjë edhe nëse pritesh apo digjesh. Mos e lër namazin e detyrueshëm qëllimisht(me vetëdije) sepse ai që e lë namazin me qëllim, i është larguar çdo lloj shfajësimi. Mos e pi alkolin sepse është çelësi i të gjitha të këqijave.”
[E percjell Ibn Maxheh dhe senedi i tij është i mirë].

Në këtë temë përcillen edhe shumë hadithe të tjera nga Abdullah bin Omeri, Ibn Abasi,Enes bin Malik dhe Umejri radijallahu anhum.

– Dobi dhe mësime:

1- Ai që vdes si mohues, si idhujtar apo si dezertor nuk i pranohen veprat e mira që mund të bëjë si :sadakaja, mbajtja e lidhjeve farefisnore, ruajtja e fqinjësisë etj. E themi këtë sepse prej kushteve të pranimit është që personi të njohë Atë për të cilin punon, ndërkohë jobesimtari nuk është i tillë prandaj dhe punët e tij janë të shkatërruara.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që e mohojnë fenë dhe vdesin si mohues, – veprat e tyre (të mira) do të humbasin në këtë botë dhe në tjetrën. Ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.”
[Bekare 217].

Në një ajet tjetër Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk u takon idhujtarëve të përkujdesen për faltoret e Allahut, përderisa edhe ata vetë dëshmojnë se janë mosbesimtarë. Të kota do të jenë veprat e tyre dhe në zjarrin e Xhehenemit do të qëndrojnë përgjithmonë.”
[Teube 17].

Gjithashtu thotë: “Atyre që mohojnë shpalljet Tona dhe takimin në botën tjetër, do t’u zhvlerësohen veprat. A do të dënohen ndryshe, veçse sipas punëve që kanë bërë?!”
[A’rafë 147].

“Kushdo që mohon besimin, veprat e tij do të zhvlerësohen dhe në jetën tjetër ai do të jetë i dështuar.”
[Maide 5].

“Pa dyshim, ata që nuk besojnë, (i) pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut dhe vdesin si jobesimtarë, Allahu kurrsesi nuk do t’i falë.”
[Muhamed 34].

Shpallja hyjnore e pohoi këtë realitet legjislativ në momentin kur tregoi për Profetët (alejhimus- selam) në formën e qortimit ndaj popujve të tyre sepse këta Profetë edhe pse gëzojnë vend të lartë, nëse bien në shirk punët e tyre do tu shkatërroheshin, e si qëndron puna me ju o njerëz?! E megjithatë ata nuk mund të bien në dicka të tillë për shkak të vendit që gëzojnë dhe se mosbesimi është i pamundur për ta në aspektin fetar, sepse janë të ruajtur nga Allahu i Madhëruar.

“Ky është udhëzimi i Allahut, të cilin Ai ia jep kujt të dojë nga robërit e Vet. Por, nëse ata adhurojnë zota të tjerë, do t’u humbë çdo gjë nga ajo që kanë bërë.”
[En’amë 88].
Ajetet që flasin për këtë temë janë të shumta.

-Ndërsa Profeti alejhis-salatu ues- selam ka thënë:” Kur Allahu t`i tubojë të hershmit dhe ata që erdhën pas tyre, në një Ditë për të cilën s`ka dyshim, një thirrës do të thërrasë: Cilido që në një vepër i ka përshkruar Allahut ortak dikë tjetër, le ta kërkojë shpërblimin tek ai, sepse Allahu është më i panevojshmi për ortakë.”
[E përcjell Tirmidhiu me nr 3154, ibn Maxheh me nr 4203, Ahmedi 4/215 dhe senedi i tij është i saktë].

2- Ata qe vdesin ne kufër (mosbesim) por që kanë bërë disa vepra të mira në këtë botë, Zoti nuk ua humb ato përkundrazi i shpërblen ata në jetën e kësaj bote.

Allahu i Madhëruar thotë: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë asgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar.”
[Hud 15-16].

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-s elam) ka thënë:

“Allahu nuk i bën padrejtësi besimtarit në veprën e tij të mirë, për atë vepër jep (ose shpërblen) rizk ne këtë botë dhe përsëri me të e shpërblen në Ahiret. Ndërsa mohuesin e ushqen me të mirat që ka bërë në këtë dunja derisa kur të shkojë në Ahiret nuk do i mbeten më të mira që të shpërblehet për to”.
[Muslimi me nr 2808].

3 – Mohuesi nëse e pranon islamin dhe vdes me iman në Allahun, këtij njeriu Allahu ia fal mëkatet dhe ia regjistron veprat e mira që i ka bërë në kohën para se të bëhej musliman. Këtë që thamë e pohojnë bindshëm tekstet autentike nga Profeti alejhis-salatu ues-selam.

Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se i Dërguari i Allahut alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Kur dikush pranon Islamin dhe përmirësohet në islam Allahu ia shkruan cdo vepër të mirë që e ka bërë më përpara dhe i fshin cdo vepër të keqe që ka bërë më parë. Pas kësaj ndodh shpërblimi për cdo të mirë nga dhjetë deri në shtatëqind fish ndërsa e keqja shkruhet vetëm si një mëkat ose e fal atë Allahu i Lartësuar.”
[Buhariu dhe Nesaiu me sened të saktë].

Hakim bin Hizami (Allahu qoftë i kënqaur prej tij) tregon se i ka thënë Profetit alejhis-salatu ues-selam: O i Dërguari i Allahut cfarë mendon për disa vepra të mira që i bëja në kohën e injorancës si sadakaja, lirimi i robërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore a do të kem për ato shpërblim? I Dërguari i Allahut i tha: “E ke pranuar islamin duke mare me vete edhe te mirat që ke bërë më parë.”

[Buhariu me nr 1436, Muslimi me nr 123].

Aisheja (Allahu qoftë e kënaqur prej saj) thotë: Një ditë i thashë Profetit alejhis-salatu ues-selam: O i Dërguari i Allahut! Ibn Xhed`ani në kohën e injorancës ishte që i mbante lidhjet farefisnore dhe ushqente të varfërit, a do i vlejë atij kjo që ka bërë? Ai tha: “Jo, sepse ai s`ka thënë qoftë dhe një herë të vetme: O Zot ma fal gabimin tim Ditën kur do të llogariten njerëzit.”
[Muslimi me nr 214].

Ja pra ky ishte Abdullah bin Xhed`ani i cili njihej si bujar i madh, saqë për mysafirët kishte ndërtuar enë të mëdha palëvizshme tek të cilat njerëzit ngjiteshin me shkallë dhe merrnin ushqimin, e megjithatë kjo nuk i bëri dobi në Ahiret sepse kishte vdekur si mohues dhe mospranues i ringjalljes dhe Ditës së gjykimit.

Kjo është e vërteta të cilën e pohojnë argumentet fetarve të sakta e të shumta se: Mohuesi nëse bëhet musliman atij do i bëjë dobi puna e mirë që ka bërë në injorancë. Por ndryshe qëndron puna nëse ai vdes si mohues veprat e tij të mira nuk i bëjnë dobi përkundrazi shuhen për shkak të mohimit. E megjithatë shpërblehet për punën e tij të mirë në këtë botë ndërsa në ëhiret nuk i bëjnë kurrfarë dobie, e as që do t`i lehtësohet dënimi, e jo më të shpëtojë prej tij.

Nëse këtë realitet arrite ta kuptosh atëherë do të të bëhet i qartë një gabim të cilin e praktikojnë disa muslimanë që thonë (në caste shkujdesje dhe injorance) sidomos kur shohin një sjellje jo të hijshme nga disa muslimanë dhe morale te këqia, shprehen duke thënë: Të krishterët dhe cifutët janë më të mirë se këta, pra kanë për qëllim këta muslimanë me moral të dobët.

Apo sic shprehen disa muslimanë të tjerë duke dalë mbi Allahun e duke thënë: Vallahi nuk është e mundur që shpikësi i llampës apo penecilinës të hyjë në zjarrin e xhehenemit sepse i mjafton atij ky shërbim që i ka bërë njerëzimit duke lehtësuar dhimbjet dhe vështirësitë e tyre.

Ne u themi :Nuk është sipas dëshirave tuaja, Allahu i Madhëruar thotë: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.”
[Al Imran 85].

Këtyre mohuesve nuk u pranohet asnjë vepër sepse i cuan dëm të mirat që në jetën e kësaj bote. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: “Ditën, kur ata që kanë mohuar do të vihen para Zjarrit (do t’u thuhet): “Ju keni shfrytëzuar gjithë të mirat në jetën tuaj tokësore dhe jeni kënaqur me to, ndërsa sot do të ndëshkoheni me dënim poshtërues, sepse keni qenë arrogantë në Tokë pa kurrfarë të drejte dhe nuk i jeni bindur Allahut”
[Ahkaf 20].

Marrë nga libri “Enciklopedia e ndalesave ne Islam” Selim el Hilali

Përktheu: Fatjon Isufi.

[1] Bëhet fjalë për gratë e ndershme jo imorale dhe kjo nuk është e vecantë vetëm për gratë e martuara por përkundrazi përfshihen edhe femrat beqare, gjithashtu përfshin dhe shpifjen ndaj burrave.

[2] Kjo fjalë e sahabëve: Ah sikur të pushonte nënkupton dhembshurinë që kishin për Profetin alejhis-salatu ues- selam dhe nuk kishte për qëllim bezdisjen nga ajo përsëritje apo pëlqimin e atyre gjërave që e shqetësonin atë.

[3] “përveçse me të drejtë”: d. m. th. për mbrojtje të ligjshme, gjatë luftës për çështjen e Allahut dhe duke zbatuar dënimet e parashikuara nga legjislacioni islam.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit