Lutja është çelësi i të gjitha të mirave!

Mos i humb

Lutja është çelësi i të gjitha të mirave. Ajo njëherësh konsiderohet arma më e fortë e besimtarit.

Besimtari i sinqertë e fillon ditën me lutje, po ashtu aktivitetin e tij e mbaron po me lutje. Kur zgjohet herët në mëngjes, nëse do që të ndjekë synetin e Muhamedit a.s., ai duhet t’i shqiptojë fjalët: Falënderimi i takon Allahut, i Cili na ngjalli pasi ishim të vdekur, dhe tek ai është tubimi(1)

Duhet ta kemi të ditur se motoja e myslimanit është puna, angazhimi dhe përpjekja për arritjen e suksesit, por, krahas kësaj, feja islame na mëson se kërkimi i ndihmës nga Zoti xh.sh. duhet të jetë gjithherë i shoqëruar me elementet e lartpërmendura. Sa herë që i drejtohemi Krijuesit Fuqiplotë dhe kërkojmë ndihmë, Ai pa dyshim që do të na përgjigjet.

Vërtet prej Emrave të bukur të Allahut xh.sh., të përmendur në Kuran, është edhe emri “El-Muxhiib” – “Pranuesi i lutjeve”.

Thotë Zoti xh.sh.: ”Vërtet Zoti im është afër, dhe më përgjigjet.(2)

Fjala -Festexhebna- “dhe Ne iu përgjigjëm“ përsëritet shumë herë në Kuran dhe kjo në kaptina të ndryshme, ku vërejmë forma të ndryshme të lutjeve që Zoti xh.sh. na i mësoi, në mënyrë që t’i lutemi.
Njeriu e ndien veten të qetë, pasi duhet të jetë i sigurt se lutja do t’i pranohet. Nëse e tërë bota mund të të refuzojë, i Madhi Zot xh.sh. nuk na refuzon kurrë.

Ai është gjithmonë me ne, përmallohet për zërin dhe klithjen tonë, si dhe ka dëshirë të dëgjoj fjalët: “O Zot, më ndihmo”! Emri Pranuesi i lutjeve i Zotit është i pranishëm në çdo kohë, sidomos gjatë muajit të Ramazanit ose gjatë lutjeve natën. Forma pyetëse -ve idha se’eleke- “kur të pyesin”, kur ka të bëjë me shtjellimin apo shpjegimin e shumë gjërave, Zoti xh.sh. i thotë Muhamedit a.s. “Thuaj”!

Por, siç transmetohet nga Ibn ebi Hatimi, kur një beduin e pyeti Muhamedin a.s.: A është Zoti ynë afër që t’I lutemi (me zë të ulët), apo është larg, e ne ta thërrasim, Muhamedi a.s. heshti dhe nuk iu përgjigj. Pas pak Allahu xh.sh. zbriti ajetin në vijim.(3)

“Kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjeskur lutësi më lutet…” Bekare 186.(4)

Nga kjo vërejmë se për lutjen nuk ka ndërmjetësues në mes Zotit dhe robit. Ky është i vetmi ajet ku Allahu xh.sh. na përgjigjet drejtpërdrejt me shprehjen “thuaj”.

Kuptimi i emrit ”Pranuesi i Lutjes”

Emri i Zotit “El-muxhib”, do të thotë “Ai që u përgjigjet kërkesave dhe lutjeve të njerëzve duke dhënë. Në momentin kur gjuha lëviz dhe pëshpërit me lutje, dije se Zoti i Madhërishëm dëshiron të të përgjigjet. Prandaj arrijmë të përfundojmë se Allahu është Ai i Cili nxit zemrën dhe gjuhën tënde për lutje. Për këtë arsye, ka dy kuptime të këtij emri.

Kuptimi i parë ka të bëjë me pranimin e kërkesës që vjen, nga Allahu xh.sh., dhe i dyti tingëllon edhe më bukur, sepse ka të bëjë me faktin se Zoti xh.sh. është Ai që inkurajon besimtarët duke i nxitur zemrat dhe gjuhët e tyre për dua dhe lutje.(4)

Omeri r.a ka thënë: “Unë nuk merakosem rreth pranimit të lutjes, por merakosem pikërisht për vetë lutjen. Ndaj, në atë moment kur inspirohem për lutje, e kuptoj se pranimi i lutjes është i sigurt”.
Gjithashtu Aliu r.a. ka thënë: “Nëse më lihet në dispozicion të zgjedh në Ditën e Gjykimit që të më gjykojnë babai dhe nëna, do të refuzoja, sepse Zoti xh.sh. është më i mëshirshëm për mua sesa prindërit e mi”.

Prandaj, në momentin kur inspirohesh për lutje, dije se pranimi është shumë afër.
Muhamedi a.s. thotë gjithashtu: “Ai të cilit i hapet dera e lutjes, le ta dijë se i janë hapur dyert e mëshirës”.

I madhi Zot nuk kërkon nga ne që të vuajmë për mësimin e lutjeve.

Ai kërkon prej nesh që t’i drejtohemi Atij qoftë edhe në mënyrë shumë të thjeshtë, ose edhe në gjuhën popullore. Në atë moment kur vendosim të lutemi, Atë e kemi shumë afër, i ngremë duart dhe me gjuhën e robit të nënshtruar, i drejtohemi Atij, – do ta shohësh se Ai do të përgjigjet.

Ne e kemi të ditur se puna në Islam është obligim; angazhimi dhe përpjekja janë elemente kyçe për arritjen e rezultateve. Por, e tërë kjo arrin pikën kulmore kur angazhimin dhe përpjekjen e fillojmë dhe e përfundojmë duke kërkuar ndihmë prej Zotit xh.sh..

Kot shkon çdo gjë nëse ne dëshirojmë të arrijmë sukses jashtë suazave hyjnore. E pabegatë është çdo punë nëse nuk fillohet me Emër të Zotit si dhe nëse nuk përfundon me lutje drejtuar Atij për sukses. Kjo që theksuam, mbështetet me hadithin e Muhamedit a.s., i cili ka thënë: “Lutja është pikërisht ibadeti”; ose hadithi tjetër: ”Lutja është truri i ibadetit”.(6)

Përmes Emrit të Zotit – Pranuesi i Lutjeve – ne kuptojmë Madhërinë dhe Praninë e Allahut xh.sh., tek i Cili nuk përzihen zërat e lutësve, dhe i Cili dëgjon çdo njeri veç e veç, edhe pse të gjithë ndoshta e lusin në një kohë.

Thotë Allahu xh.sh. në një hadith kudsij: “O robët e Mi, sikur i pari dhe i fundit prej jush, qoftë nga njerëzit apo exhinët, të mblidheshin në një vend dhe të më lusnin Mua, si dhe t’ua pranoj lutjet të gjithëve, – nuk do të më mungojë nga ajo që kam, ashtu sikurse nuk ndikon gjilpëra nëse futet në det.”(7)

Ndaj në Kuran citohet: “…

 

Duart e Tij janë të shlira. Ai furnizon ashtu si të dojë.” Maide 64.(8)

Nga kjo që u theksua, kuptojmë se Allahu xh.sh. kërkon prej nesh që të mos
kalojmë asnjë moment të jetës pa E lutur Atë. Ai i do ata që këmbëngulin në dua-lutje, ata që janë të vendosur. Nëse nga njeriu kërkon diçka me këmbëngulje, sigurisht se atë do ta bezdisësh, por kjo është e kundërt me Allahun Fuqiplotë; Ai përkundrazi, nuk bezdiset nga këmbëngulja e robit, por e pëlqen atë gjë.

Lidhur më këtë, thotë Muhamedi a.s.: “Vërtet Allahu i do lutësit këmbëngulës dhe të vendosur.”
Kjo sepse ai që këmbëngul në pranimin e duasë, tregon se nuk ka të adhuruar dhe as për t’u mbështetur tjetër, përveç Allahut.

Prandaj ai që është i sëmurë, krahas kërkimit të shërimit, detyrohet të lutet, në mënyrë që Allahu ta shërojë. Gjithashtu, edhe njeriu që humb rrugën apo ndodhet në një situatë tragjike, duhet të kërkojë shpëtim prej Zotit të Madhërishëm. Madje, edhe i tërë Ymeti islam duhet ta lusë Allahun xh.sh. që t’i heqë prej tyre sprovat,telashet dhe persekutimet, duke I thënë: “O Zot, ndihmona, ndihmona!”

Emri i Zotit El-Muxhib vjen gjithmonë me emrin el-kariib.- I Afërt.

“Vërtet Zoti im është afër dhe pranues i lutjeve”.
A thua, vallë, përse kështu? Sepse ti asnjëherë nuk e lut atë që është larg teje, po atë që është shumë afër teje. Gjithashtu, gjatë lutjes mjafton vetëm të lëvizësh buzët, pa e ngritur zërin fare,ngase Ai është shumë afër teje.

Kështu duhet të veprojmë, sepse Zotin e Madhërishëm e lusin të gjithë, ç’ka në tokë dhe në qiej.
“Atij i drejtohet me lutje ç’është në qiej e në tokë dhe Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja.” Rrahman, 29.(9)

Pra, Allahut i nënshtrohet gjithçka duke e lutur që ta ndihmojë. Bima e lut Zotin e Madhëruar që ajo të mbijë dhe të zhvillohet; balena në oqeanin e thellë e lut Zotin xh.sh., që të mbijetojë dhe të ushqehet; buburreci, bleta dhe të gjitha krijesat e tjera e lusin Atë, që t’i ushqejë dhe t’i furnizojë me të mirat e Tij.
Në Kuranin famëlartë citohen versete të shumta, ku flitet për rolin pozitiv që mund të ketë lutja. Gjithashtu edhe në hadithet e Pejgamberit a.s., shohim se lutja konsiderohet element i rëndësishëm në jetën e myslimanit.

Po përmendim disa prej këtyre ajeteve.

“Zoti juaj ka thënë: Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem…“ Gafir, 60.(10) “Luteni Zotin tuaj, të përulur dhe në heshtje, sepse Ai nuk i do ata që e teprojnë”. A’rafë, 55.

“ … Dhe luteni Atë duke pasur frikë (për dënimin) dhe duke shpresuar (mëshirën)”. A’rafë, 56.(11)
Ajo që kuptojmë prej këtyre ajeteve, është fakti se Vetë Zoti xh.sh. na fton ta lusim Atë me një sinqeritet dhe devocion,duke na thënë se lutja drejtuar Atij, mund të bëhet në çfarëdo kohe. Kur jemi rehat a pa probleme, ose nëse ballafaqohemi me probleme të natyrave të ndryshme, i pari prej të Cilit duhet të kërkohet ndihmë, duhet të jetë Allahu i Madhërishëm.

Gjithashtu, Ai nuk i do ata që paraqiten kokëlartë dhe koprracë, duke mos gjetur kohë që së paku një herë në ditë, t’i ngrenë duart drejt qiellit.

Zoti xh.sh., me anë të ajetit të tretë të sipërpërmendur, aludon që rezultat i lutjes është zbritja dhe ofrimi apo manifestimi i mëshirës tek njerëzit, si dhe rregullimi i problemeve me të cilat ballafaqohemi. Tani do të përmendim disa hadithe të Muhamedit a.s., që kanë të bëjnë me lutjet. “Vërtet duaja është ibadet”. “Nuk ka gjë më të nderuar tek Zoti sesa lutja”.

“Kush nuk E lut Zotin, Ai hidhërohet në të”. “Mos përtoni për dua, sepse askush nuk do të shkatërrohet as të humbë pasi të jetë lutur”. “Zoti është Bujar; nëse robi i ngre duart për lutje, Ai ngushtohet që ta kthejë duarthatë”. “Zoti i Madhërishëm zbret në qiellin e kësaj bote në pjesën e tretë të natës dhe thërret duke thënë: Kush Më lutet Mua, që Unë t’ia pranoj lutjen; kush kërkon diçka prej Meje e t’ia jap; kush kërkon falje mëkatesh, e Unë t’ia fal ato.”

Prej këtij vargu të haditheve kuptojmë se Zoti xh.sh. dëshiron që ta lusim Atë. Pa dyshim, Ai na jep gjëra të shumta edhe pa E lutur, e imagjino sikur ta lusim , sigurisht që do të na i plotësojë dëshirat.
Kurani famëlartë na tregon se lutja është ajo që mund të ndryshojë rrjedhën e ligjeve të zakonshme. Ibrahimi a.s., iu lut Zotit xh.sh., që ta bënte Mekën vend të sigurt dhe të banuar me njerëz.

Po të analizohet nga pikëpamja gjeografike, del në pah se ky vend nuk ka asnjë mundësi të jetë i tillë. Trualli i tij shkëmbor dhe shkretinor, mungesa e ujit dhe shumë e shumë veti të tjera, pamundësojnë që ky vend të jetë i sigurt dhe i banuar me njerëz. Por lutja që Ibrahimi a.s. i bëri Allahut xh.sh. për këtë vend , u bë realitet me fuqinë e Tij, duke u bërë më pastaj vendi më i vizituar në tërë botën dhe njëkohësisht vendi më i sigurt në botë .

“Dhe, kur Ibrahimi tha: O Zot bëje këtë vend (Mekën) të sigurt dhe furnizoji banorët e saj me fruta…” Bekaretu1, 24.(12)

Kemi edhe ngjarjen e Zekerijait a.s., i cili arriti pleqërinë pa pasur pasardhës, po me një lutje drejtuar Allahut xh.sh., pasardhësi i tij u bë realitet. Në fakt,nga mosha që kishin Zekerijai a.s., dhe gruaja e tij, duket qartë se kjo ishte e pamundur. Por lutja e tij drejtuar Allahut xh.sh., bëri që me lejen e Tij t’u lindte një djalë.

“Zoti im, më fal edhe mua nga ana Jote një pasardhës të mirë, Ti je dëgjues i lutjes”. Ali Imran, 38.13
Gjithashtu kemi edhe shumë raste, të cilat përmenden në Kuran dhe të cilat na tregojnë se lutja e njerëzve me sinqeritet, drejtuar Allahut xh.sh., pranohet.

Rrëfen Ebu Hurejra r.a., shok i ngushtë i Pejgamberit a.s., duke thënë: “O i dërguar i Allahut, sa herë që e thërras nënën time në Islam, ajo thotë fjalë të liga për Ty dhe për Islamin. Prandaj, lute Zotin xh.sh., o Resullullah, që nënën time ta udhëzojë.

Pejgamberi a.s., i ngriti duart dhe tha: O Zot, udhëzoje nënën e Ebu Hurejres. U ktheva në shtëpi i gëzuar nga lutja e Pejgamberit a.s., për nënën time. Posa arrita tek dera e shtëpisë, trokita. Dëgjova zërin e nënës sime që më tha: Mos lëviz, – e hapi derën dhe mendova se ajo do të shante përsëri Pejgamberin a.s., dhe Islamin, por ndodhi e kundërta.

Ajo më tha: Dëgjo! Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, dhe Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Posa dëgjova dëshminë prej saj, fillova të qaja nga gëzimi. U ktheva me të shpejtë tek Pejgamberi a.s., dhe duke qarë, e njoftova e i thashë:

O i dërguar i Allahut, vërtet Zoti xh.sh. pranoi lutjen tënde. Ai tha: Falënderimi i takon Allahut. Pastaj kërkova prej tij që t’i lutet Allahut që të më bëjë të dashur mua dhe nënën time tek myslimanët si dhe anasjelltas. Bëji të dashur këtë rob dhe nënën e tij tek myslimanët si dhe bëji besimtarët të dashur për ta”. Thotë Ebu Hurejra r.a.: Prej atij momenti, çdo mysliman që ka dëgjuar për mua , më ka dashur.(14)
Kohët më të mira për lutje Lutjet mund të bëhen në çdo kohë, por kohët më të preferuara për lutje, janë këto:
1) Pjesa e tretë e natës. Për këtë aludon edhe hadithi kur Pejgamberi a.s., pasi u pyet se cila është koha më e mirë për lutje, tha: pjesa e tretë e natës.

2) Dita e xhuma. Thotë Muhamedi a.s.: “Në ditën e xhuma është një kohë në të cilën kushdo që arrin prej myslimanëve dhe e lut Allahun gjatë asaj kohe, Ai ia pranon lutjet”.

3) Dita e Arafatit, Nata e Kadrit, muaji i Ramazanit, koha e iftarit, duke qenë në Qabe, pas pirjes së ujit zem-zem, në sexhde (gjatë namazit nafile), gjatë duasë së hatmes, në momentin e pendimit, duaja e vëllait për vëllanë, për se thotë Muhamedi a.s.: “I caktohet atij personi një melek dhe, sa herë që lutet (për vëllanë e tij), meleku i thotë: Amin, edhe për ty gjithashtu”.(14)

Gjithashtu duhet të kemi parasysh edhe faktin se lutjet më të mira janë ato që janë përmendur në Kuran ose sikur kanë ardhur përmes haditheve të Pejgamberit a.s..

Por, nëse rastësisht dikush nuk di ndonjë prej tyre, atëherë mund të lutet ashtu si të dijë dhe ashtu si i buron prej shpirtit të tij, qoftë edhe me fjalë të tij. Kështu, kemi rastin e një njeriu që erdhi tek Pejgamberi a.s., dhe i tha: “O i dërguar i Allahut! Unë nuk di të lutem me retorikën tënde dhe as me atë të Muadh ibn Xhebelit”.

Muhamedi a.s., e pyeti: “Mirë, si lutesh atëherë”? Ai u përgjigj: “Them: O Zot, më mundëso që të hyj në Xhenet, dhe më shpëto nga zjarri i Xhehennemit”! Muhamedi a.s., i tha: “Rreth kësaj fjale sillemi edhe unë, edhe Muadhi”.

Kushtet e pranimit të Duasë

1) Të qenët i sigurt se lutja do të pranohet. Thotë Muhamedi a.s.: ”Luteni Zotin xh.sh., duke qenë të sigurt për pranimin e lutjes”.

2) Të tregohet nënshtrueshmëri dhe vetëmohim, gjatë lutjes.
Thotë Muhamedi a.s.: ”Zoti nuk e pranon lutjen prej zemrës së paaktivizuar- të përgjumur”.
Thotë ibn Omeri r.a.: ”Unë e di kur më pranohet lutja”. Të pranishmit e pyetën si e dinte. Ai u përgjigj: ”Kur zemra fillon të dridhet, kur gjymtyrët fillojnë të rrëqethen dhe kur loti pikon, e di se është koha e pranimit të lutjes, prandaj lutem edhe me shumë” .

3) Mosnxitimi për pranimin e lutjes. Thotë Muhamedi a.s.: ”Lutja i pranohet atij që nuk nxiton për pranimin e saj”. E pyetën si ndodh ashtu, e Ai tha: “Thotë jam lutur disa herë dhe ajo nuk m’u pranua, pastaj e braktis atë, dhe kështu vërtet nuk i pranohet.”

4) Ushqimi me hallall, që konsiderohet kusht themelor për pranimin e lutjes, sepse e kundërta has në pengesë gjatë lutjes. Ashtu siç e përmend Muhamedi a.s., njeriun që është në udhëtim, i veshur me rroba të leckosura, por që është ushqyer me haram, ka pirë haram dhe ka jetuar me haram, atëherë si t’i përgjigjet atij”?

Shfaqja e edukatës gjatë lutjes

1) Të qenët i pastër nga xhenabeti dhe me abdest.
2) Ngritja e duarve nga qielli.

3) Drejtimi nga Kibla.
4) Të fillohet me falënderimin ndaj Allahut dhe të përshëndetet me salavate Pejgamberi a.s., si dhe të këmbëngulet në dua. Pastaj, nëse kemi mundësi, të japim sadaka menjëherë pas duasë.

Lidhur me këtë, Imam Ibn Kajim Elxhevzijj thotë: “Atij që plotëson këto katër kushte dhe shfaq kulturë e edukatë gjatë lutjes, do t’i pranohet ajo, qoftë edhe pas një kohe”.

Ndodh që ajo mund të vonojë, por kjo bëhet me shkas, sepse Allahu xh.sh. thotë: “O Xhibril, a më bëri lutje robi im? Ai thotë: Po, o Zot! Allahu shton duke thënë: O Xhibril, vonoje kërkesën e robit Tim, sepse Unë dua ta dëgjoj edhe më zërin e tij”.

E lusim të Plotfuqishmin dhe Pranuesin e Lutjeve, që të na bëjë prej myslimanëve të shkëlqyer, prej atyre që i shërbejnë gjithmonë dhe pandërprerë Islamit.
O Zot, largo nga zemrat tona inatin, mërinë e zilinë, mbill në to imanin, Islamin dhe bamirësinë! Amin.

_________________

Fusnotat:

1. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
2. Kaptina Hud ajeti-61.
3. Tefsiri i Ibn Kethirit koment i ajetit 186 elbekaretu.
4. Kaptina Bekare 186.

5. Amer halid “Bismike Nahja” në web faqen e tij.
6. Transmeton Buhariu.

7. Hadith Kudsij.
8. Kaptina Maide 64.
9. Kaptina Rrahman 29.

10. Kaptina Gafir 60.
11. Kaptina A’raf 55-56.
12. Kaptina Bekare 124.

13. Ali Imran 38.
14. Transmeton Ebu Hurejra r.a..
15-16. Amer Halid po aty.

Adnan Bërbatovci

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit