OKB mohon pretendimet e Rusisë për ekipin e OPCW-së në Duma

 

 

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) mohon pretendimin e zyrtarëve rusë se Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) po pret miratimin e OKB-së për të shkuar në Duma, duke bërë të ditur se është dhënë leja e nevojshme për këtë.

Zëdhënësi i Përgjithshëm i OKB-së, Stephane Dujarric, në takimin ditor me mediat u përgjigj në lidhje me pretendimet se ekipi e OPCW-së, i cili ka arritur në Siri të enjten e javës së kaluar për t’i realizuar hetimet në lidhje me përdorimin e armëve kimike, po pret lejen e OKB-së për të pasur qasje në Duma.

“OKB ka dhënë lejen e duhur që Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike të shkojë dhe të realizojë hetime në Duma”, tha Dujarric.

Zv/ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, ishte shprehur se ekipi i OPWC-së nuk po arrin që të shkojë në Duma për shkak se nuk e ka lejen e OKB-së.

Duke u shprehur se OPCW po i realizon hetimet në mënyrë të pavarur e jo me OKB-në, për shkak se nuk është një mekanizëm i përbashkët, Dujarric thotë se sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, po e mbështet këtë hetim dhe se dëshiron që të shohë lejimin e qasjes në të gjitha rajonet të ekipit të OPCW-së, në mënyrë që të arrihet në të gjitha dëshmitë.

Dujarric shtoi se lufta në Siri ka zgjatur mjaft dhe se tani duhet të kthehet në procesin politik.

Në anën tjetër Franca, SHBA-të dhe Britania e Madhe i prezantuan Këshillit të Sigurisë së OKB-së një projektrezolutë të re për themelimin e një mekanizmi të pavarur të OKB-së për hetimin e përdorimit të armëve kimike në Siri, për dërgimin e ndihmave humanitare si dhe për fillimin e procesit paqësor.