Balla: Reagimi në kohë i Policisë rrit besimin te qytetarët

Mos i humb

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka përgëzuar punën e Policisë së Vlorës që ka arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje, në të paktën dy raste.

Balla në një postim në rrjetet sociale, tha sot se, reagimi i menjëhershëm dhe me profesionalizëm i Policisë, po rrit besimin e qytetarëve tek forcat e rendit.

“Parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe reagimi i menjëhershëm dhe profesional i shërbimeve të Policisë janë kundërpërgjigjet më të mira ndaj atyre që tentojnë dhe guxojnë të kryejnë të tilla veprime kriminale si dhe rrisin akoma më shumë besimin e qytetarëve te Policia”, shkruan Balla.

“Përgëzime Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për reagimin në kohë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e tre autorëve që nën kërcënimin e një arme imituese me silenciator, vodhën lekë e celularë dhe në ikje vodhën dhe xhiron ditore në një karburant. Nxis të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit në qarqe që të rrisin vigjilencën për të parandaluar ngjarjet kriminale kundër personit dhe pronës”, përfundon Balla reagimin e tij.

Më herët, Policia e Vlorës njoftoi arrestimin e tre personave të dyshuar për vjedhje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit, në mesnatë, se tre persona të paidentifikuar, nën kërcënimin e një arme imituese pistoletë me silenciator, i kishin vjedhur një shumë parash (portofolin) dhe një aparat celular, dy shtetasve dhe më pas ishin larguar, duke shkuar po me këtë send, në një pikë karburanti, dhe nën kërcënimin e kësaj arme imituese, kishin vjedhur xhiron ditore, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Storm 16”, për identifikimin dhe kapjen e tyre. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, në lagjen “10 Korriku” u bënë të mundur lokalizimi dhe kapja e tre aurorëve të dyshuar, A. M., 20 vjeç, një 16-vjeçar dhe një 17-vjeçar”, bëri të ditur Policia e Vlorës.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë imituese pistoletë me silenciator, një shumë parash, portofoli dhe aparati celular, të dyshuar të vjedhura, një mjet prerës (thikë), 2 maska mjekësore dhe automjeti tip “Audi” që autorët kanë përdorur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i tre shtetasve dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale”, përfundon njoftimi i Policisë së Vlorës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit