Ballina Europa PE refuzon “Kacifën”. Eurodeputeti grek dhe “ECR” kërkuan seancë debati

PE refuzon “Kacifën”. Eurodeputeti grek dhe “ECR” kërkuan seancë debati

28
0

Parlamenti Europian ka hedhur poshtë propozimin e eurodeputetit grek, Nikos Marias, dhe të konservatorëve dhe reformistëve europianë (ECR), që në seancën e së hënës të diskutohej çështja e incidentit në Bularat, ku humbi jetën 35-vjeçari minoritar Kostandinos Kacifas, e shkeljen sipas tij të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.

Kundër këtij propozimi votuan edhe vet eurodeputetët e Partisë Popullore Europiane, ku i pranishëm ishte edhe kreu i tyre, Manfred Ëeber; Socialistët europianë, Liberalët, Të gjelbrit; ndërsa shumica e së Majtës europiane, duke përfshirë edhe kryetaren Gabriela Zimmer, abstenuan. Rezultati i votimit ishte 48 vota në favor të propozimit, 208 kundër dhe 20 abstenime.

Në fjalën e tij, Notis Marias, kryetari i Partisë “Greqia – Rruga tjetër” dhe eurodeputet, vuri në dukje se Kostandinos Kacifas u ekzekutua nga policia shqiptare në kuadër të një operacioni spastrimi, në ditën e përvjetorit kombëtar të Greqisë, më 28 tetor, një akt që sipas tij e mbështeti politikisht kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ai shtoi se autoritetet shqiptare refuzuan në mënyrë të paligjshme, për 10 ditë, të dorëzonin trupin e tij të varrosej nga të afërmit, ndërsa tha gjithashtu se në funeralin e tij u ushtrua terror.

Duke përfunduar, eurodeputeti grek theksoi se presioni ndaj minoritetit kombëtar të Vorioepirit është i vazhdueshëm e sistematik, dhe autoritetet shqiptare shkatërrojnë kishat, shtëpitë e grekeve dhe angazhohen në shpronësime të dhunshme.

Përveç faktit që shumica e eurodeputetëve votuan kundër propozimit të tij, karakteristikë e kësaj seance ishte fakti se, nga 27 eurodeputetët që përfaqësojnë Greqinë dhe Qipron, në votim merrnin pjesë vetëm 10. Prej tyre votuan pro 8 eurodeputetë, përfshirë Eleni Theocharous, e cila u shpall nga autoritetet shqiptare person “non grata”, ndërsa dy votuan kundër. 17 të tjerët nuk ndodheshin fare në sallë./Top Channel/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here