SBASHK-u apel nxënësve: Të mërkurën në orën e parë dhe të dytë mos shkoni në shkollë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës përmes një komunikate ka bërë thirrje për nxënësit që të mërkurën në orën e parë në të dyja ndërrimet mos të shkojnë në shkollë.

Në njoftim thuhet se këtë vendim e kanë marrë pasi sipas tyre Qeveria e Kosovës nuk mbajti fjalën në raport me punëtorët e arsimit.

Lexoni të plotë njoftimin e SBASHK-ut:

“Apel i SBASHK-ut drejtuar prindërve dhe nxënësve në tërë Kosovën

Në kohë grevash nxënësit mos të nisen për në shkollë

Të nderuar prindër dhe nxënës në tërë Kosovën, SBASHK-u ka bërë dhjetëra takime me përfaqësuesit më të lartë të Kosovës në përpjekje që çështjet dhe marrëveshjet e arritura më herët të realizohen përmes dialogut, por Qeveria nuk reflektoi dhe ne jemi të detyruar të nisim me veprime sindikale. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe apelojmë që të mërkurën, më 14 shkurt nxënësit mos të jenë në shkollë në orën e parë në të dy ndërrimet.

Ata le të jenë në vatrat e tyre të diturisë në kohën e duhur për të nisur orën e dytë. Nëse gjendja nuk ndryshon, atëherë ju lusim që edhe të martën, më 20 shkurt nxënësit mos të jenë në shkolla në dy orët e para të të dy ndërrimeve, por të shkojnë me kohë për të nisur mësimin në orën e tretë. Këtë apel e bëjmë për hir të sigurisë së nxënësve tanë ngase mësimdhënësit janë në grevë dhe nxënësit në oborre shkollash, apo pa mësimdhënësit në klasë, do të sfidohen nga ndonjë zënkë a rrezik tjetër.

Prindër të nderuar kudo jeni në tërë Kosovën, kryetar i nderuar i Këshillit të Prindërve, Bajram Beqiri, SBASHK-u këto veprime po bën në përpjekje për ta realizuar Qeveria borxhin ndaj punëtorëve të arsimit që me mund e sakrifica mbajtën gjallë arsimin shqip duke kundërshtuar fuqishëm me shkumësa, libra e me zemër, tendencën e pushtuesit serb për zhdukjen e arsimit dhe kulturës shqipe gjatë viteve të okupimit. Prindër dhe nxënës të nderuar na përkrahini në këtë përpjekje tonën për hir të respektit për mësimdhënësit e asaj kohe”./Kosova Post/