Supë falas, por edhe biznese të reja: a ka dalë vërtet Greqia nga kriza?

Mos i humb

“Menduam vetëvrasjen shumë herë”, thotë Dimitris Koumatsioulis, “për shkak se kur arrin buzë shkëmbit, ose bie ose mbahesh fort dhe vazhdon”.

“Por, ne thamë jo – ne u përpoqëm, dhe kjo është arsyeja përse jemi ende këtu”.

Skaji i shkëmbit për të mbërriti në vitin 2011, një vit pasi Greqia ra në krizë financiare, duke marrë me vete edhe fabrikën e tij “Viome”.

Me qendër në qytetin verior të Selanikut, fabrika prodhonte adezivë për tullat e prodhuara në kompaninë-mëmë, Philkeram-Johnson.

Dikur një biznes i suksesshëm grek, fabrika u shndërrua në një ikonë të falimentimit nga kriza, duke lënë me dhjetëra punëtorë me rrezikun e humbjes së mjeteve të jetesës.

Dimitris dhe kolegët e tij vendosën ta marrin në dorë “Viome”, duke formuar një kooperativë punonjësish në të cilën të gjithë janë të barabartë dhe paguhen njësoj.

Në fabrikën e errët e të ndryshkur, miksuesit zhurmuan dhe makinerive iu rikthye jeta.

Duke nisur nga e para, nga poshtë-lart: është një metaforë për vetë Greqinë, e cila më në fund po del nga programi i ndihmës, duke e rindërtuar veten sipër një fushe të boshatisur ekonomike.

Dëshpërimi që u kthye në tërbim

Në vitin 2010, Greqia i tregoi botës deficitin e saj në maja qiellore. Ajo u ngri nga tregjet dhe u detyrua të hynte në një program shpëtimi financiar nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Tre paketa të njëpasnjëshme shpëtimi, me një total prej më shumë se 300 miliardë eurosh, mbërritën në vend me çmimin e masave drastike të kursimit.

Nga Athina, korrespondentët raportonin për protesta të përditshme që nxorrën me dhjetëra mijë njerëz në rrugë, ndërsa rrogat dhe pensionet u reduktuan disa herë dhe taksat u rritën.

Dëshpërimi shpeshherë u kthye në tërbim, ndërsa qendra e Athinës u bë fushëbetejë e përplasjeve midis protestuesve të vendosur dhe policisë.

Me orë, sheshi Syntagma, para parlamentit do të mbulohej nga gazi lotsjellës, apo nga jehona e gjëmimeve të granatave trullosëse dhe bombave me vajguri.

Ndërsa Greqisë iu dha dora e fundit e fondit të shpëtimit dhe përfundoi programin tetë vjet më pas, kryeqyteti duket shumë më i qetë, por ende vendi mban plagë të thella.

Papunësia është në 20 për qind, me rënie krahasuar me 28 për qind më parë, masat e kursimit kanë shtyrë një në pesë persona poshtë nivelit të varfërisë dhe ekonomia është rrudhur me një çerekun e saj.

Qeveria thotë se Greqia tashmë, do të jetë në gjendje të qëndrojë në dy këmbët e veta, duke u mburrur me rritjen prej 1.4 për qind në vitin 2017 dhe rikthimin e planifikuar në tregje më vonë këtë vit.

“Ne e kuptojmë plotësisht se çfarë ka duruar populli grek”, thotë zëvendësministri grek i Ekonomisë, Alexis Haritsis, “por ne kemi ndjesinë e fortë se këta tregues të parë tregojnë përmirësim të ekonomisë dhe se ato do të reflektohen në jetën e përditshme të njerëzve të thjeshtë”.

Masat e kursimit ishin “ilaçi i gabuar”, pranon ai, por qeveria e tij këmbëngul se ishte e detyruar ta gëlltisë ose bankat do të ishin fundosur dhe vendi do të kishte një dalje të detyruar nga eurozona.

Greqia mund të ketë dalë nga reanimacioni – por rimëkëmbja e vërtetë është ende larg. Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se vetëm katër vende janë rrudhur më shumë se Greqia në dekadën e fundit: Jemeni, Libia, Venezuela dhe Guinea Ekuatoriale.

Kuzhinat e supës janë ende të zëna me shpërndarjen e saj për “të varfrit e rinj”- të cilët papritmaz humbën shtëpitë dhe vendet e punës gjatë krizës, ndërsa iu shkatërruan mjetet e jetesës në Europën e shekullit të 21-të.

Tassos Smetopoulos dhe ekipi i tij drejtojnë shpërndarjen e ushqimit në qendër të Athinës.

“Numri në fakt është duke u rritur”, thotë ai, duke prerë perimet në një enë të madhe për t’ua shërbyer atyre që presin. “Paketa e shpëtimit mund të ketë përfunduar në letër – por jo në realitet”.

Shumë të tjerë si Fotini varen nga kuzhinat e supës pavarësisht përmirësimeve të supozuara ekonomike.

54-vjeçarja Fotini, e cila humbi punën tre vjet më parë, është një prej të paktëve që flasin hapur. Ky komb krenar e ka pranuar me vështirësi humbjen e dinjitetit.

“Nuk shoh që krizës po i vjen fundi”, thotë ajo. “Jemi të stresuar dhe të zemëruar për shkak se nuk kemi vende pune. Jam në siklet që nuk mund t’u blej nipërve të mi një dhuratë. Ne thjesht duam të jetojmë pa vështirësi në shtëpitë tona kështu që mund t’i shohim fëmijët në sy”.

Një farë stabiliteti

Kompanitë që kanë rinisur punën po nxisin një ndjesi rimëkëmbjeje, duke i dhënë frymëmarrje ekonomisë në agoni të Greqisë.

Ato po tërheqin pas në shtëpi rreth 500 mijë grekë që emigruan gjatë krizës: një “thithje truri” me drejtim pas është kyçe nëse Greqia do të rindërtohet.

Në “Workable”, një kompani burimesh njerëzore online, 20 apo 30-vjeçarët përcjellin optimizëm nga zyra e tyre e re e Athinës.

Tassos dhe Alexia janë të rinj grekë që mund të shohin shenja përmirësimi.

“Kur vija me pushime në mes të krizës, mund të shihja njerëzit nga fytyra sesa të trishtuar dhe të zemëruar ishin”, thotë Tassos Kakalis, që është rikthyer nga Londra. “Tani, unë mendoj se po bëhet goxha më mirë. Njerëzit po ngjitin pjesët së bashku”.

“Është ikacake të thuash se kemi dalë nga kriza – ky është një iluzion”, paralajmëron me kujdes kolegia e tij, Alexia Mandriali. “Por, fakti që ne nuk kemi më debat nëse do të jemi ose jo në eurozonë të nesërmen, – kjo na jep një farë stabiliteti”.

Çfarë krize?

Edhe në majat e depresionit ekonomik, grekët kanë treguar se dinë të jenë një popull veçanërisht elastik. Miqtë që vizitonin Athinën pyesnin “çfarë krize, ku është kriza?” ndërsa shëtisnin midis kafeneve që ende zjenin dhe dyqaneve në Athinë.

Sigurisht që kriza është aty: mund ta shohësh në një biznes të mbyllur, tek të pastrehët dhe lypësit – një pamje që më herët nuk ishte e pranishme në qytet.

Por, më shumë se gjetkë, mund ta dëgjosh në historitë e vështirësive nga një komb ku familja mundëson rrjetën e sigurisë, por që edhe kjo rrjetë iu shkërmoq.

Tetë vjet më pas, Greqia ndjen se e ka lënë pas më të keqen. Një bum në turizëm, në industrinë e saj më të madhe, po vjen në ndihmë, me një numër rekord prej 32 milionë vizitorësh që priten këtë vit, më shumë se dyfishi i numrit në vitin 2010.

Dhimbja e krizës së saj më të madhe financiare është një kujtesë e gjallë që mund të ndikojë një brez të tërë.

Por një rreze shprese ka nisur të çajë retë.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit