Të mbijetuarit në Rusi përgatiten për “apokalipsën” e radhës

Mos i humb

Pandemia globale e koronavirusit (Covid-19) ka shkaktuar një interes të madh për lëvizjet e mbijetesës në Rusi.

Duke dalë në skenë për herë të parë gjatë Luftës së Ftohtë, Lëvizja e Mbijetesës, ishte e bindur për një apokalips të pashmangshëm të shkaktuar nga një luftë bërthamore midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik dhe u përpoq të përgatisë strehimore që do t’u mundësonte atyre të mbijetojnë nga shpërthimet e bombave bërthamore.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, lëvizja dukej se kishte humbur rëndësinë e saj. Por, pastaj u ringrit përsëri, veçanërisht në vitin 2014, për shkak të ngjarjeve në Ukrainë dhe në vitin 2017, kur Rusia filloi operacionin e saj ushtarak në Siri.

Kjo lëvizje ruse, e cila ndjek nga afër çdo situatë alarmante në botë, u alarmua që nga fillimi i shpërthimit të koronavirusit në Kinë.

Kur rastet e para u konfirmuan në Rusi dhe autoritetet ndaluan hyrjen e të huajve në vend, lëvizja shpalli nivelin e kuq të rrezikut, duke parashikuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Rusi, ku ndalohet hyrja në qytetet e mëdha dhe dalja prej tyre, ushtria patrullon në rrugë, paraqitet mungesa e ushqimit dhe ilaçeve dhe qeveria vendos kartat e racionit dhe vret të infektuarit.

Të frikësuar nga rezultatet e mundshme dhe duke shprehur dyshime për fshehjen e kërcënimit të vërtetë nga qeveria, Lëvizja e Mbijetesës zhvendoset në rajone të largëta ku mund të qëndrojë larg nga “zona e ndikimit” të epidemisë.

Normalisht, njerëz të tillë fshehin emrat e tyre të vërtetë ndërsa janë mjaft aktivë në mediat sociale, ku i mësojnë njerëzit si të mbijetojnë në raste emergjente.

Kohët e fundit udhëzimet e tyre krijuan miliona hite, me video që tregojnë se si të bëjnë maska ​​nga fashat dhe pambuku të cilat shikohen në masë të madhe, në mungesë të maskave mjekësore të fytyrës në farmaci.

Ata publikuan hartat me rrugë të fshehta që do t’u mundësonin njerëzve të largoheshin nga qytetet e mbyllura pasi të bllokoheshin nga ushtria, rregulla për paketimin e çantave portative me artikuj që do të mundësonin mbijetesën për 72 orë, rekomandime dhe trajnime të tjera për njohuri dhe aftësi mbijetese.

Disa nga lëvizja e mbijetesës u larguan nga qytetet e mëdha shumë kohë më parë. Ekzistojnë komunitete të mëdha në Ural, Siberi dhe Kaukaz ku janë ndërtuar strehimore të fortifikuara nëntokësore me sisteme të ventilimit dhe pastrimit të ujit.

Ata grumbullojnë armë, ushqim dhe ilaçe si dhe fara dhe sende të tjera, duke u mundësuar atyre të mbijetojnë një katastrofë, të luftojnë kundër sulmuesve dhe të rikthjenë jetën në Tokë.

– ‘Mos blini ushqim, blini municion’

Të mbijetuarit shpjegojnë se Rusia do të vuajë nga pandemia e koronavirusit më shumë se vendet e tjera, sepse ekonomia e saj është goditur nga rënia e çmimeve të naftës, zhvlerësimi i rublës dhe varësia e vendit nga importet e një numri të mallrave.

Në rast të mbylljes së kufijve, kjo mund të rezultojë në një krizë ushqimore dhe trazira sociale kur ata që nuk kanë rezervat e furnizimit me siguri do të përpiqen të plaçkisin ata që kanë.

“Mos blini ushqim. Bleni municion. Ata që kanë armët do të hanë ushqim”, shkruajnë anëtarët e lëvizjes në grupet e tyre publike në rrjetet sociale.

Sipas këtij skenari, qeveria më pas ndërpret qasjen në internet për të shtypur trazirat pasi në të gjithë botën aktualisht është kanali kryesor i komunikimit, por ai do të çojë në kolaps të ekonomisë, panik dhe kaos të mëtejshëm.

Një skenar tjetër sugjeron një luftë për burimet dhe problemet e furnizimit me ujë dhe energji elektrike të shkaktuar nga pamundësia për të prodhuar vëllimet e nevojshme kur një pjesë e popullatës vdes dhe një pjesë tjetër ik.

Të mbijetuarit këshillojnë të keni armë në rastet kur ngjarjet e treguara në filmat në Hollywood janë realizuar, si kur një sëmundje e panjohur godet njerëzimin, duke i kthyer njerëzit në “zombie” ose krijesa të tjera të frikshme, një ide të cilën ata e marrin mjaft seriozisht.

Thëniet e famshme paralajmërojnë se njerëzit janë të prirur të ekzagjerojnë emergjencën, rreziku gjithnjë duket më i madh përmes syve të frikës dhe frika ka rrënjët e thella.

Sa për mbijetesën, ka ardhur koha e tyre e artë kur ata mund të konsumojnë të paktën një pjesë të stoqeve të tyre ushqimore, ndërsa ata ende janë duke pritur për një ‘apokalips’, i cili duhej të vijë në kohën e tensioneve midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, pas sulmeve të 11 shtatorit dhe fundit të kalendarit Majan.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit