577 kg drogë me gomone drejt Italisë, policia arreston 3 trafikantët

Mos i humb

Policia e Vlorës ka njoftuar se 3 persona janë vënë në pranga pasi një sasi e madhe droge u kap dje në ishullin e Karaburunit.

Policia ka vënë në pranga shtetasit: Mandi Begaj, Herman Muçaj, Ëngjëllush Mukaj, të cilët sipas policisë janë dhe persona që tentuan të trafikonin 577 kg kanabis drejt Italisë.

Sipas policisë në vendin e quajtur “Gjiri i Dafinës”, pranë Karaburunit, personat që ishin në bord, në pamundësi për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën dhe u prangosën gjatë ndjekjes nga uniformat blu.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Karaburuni”, për goditjen e një tentative për trafikim të lëndëve narkotike drejt Italisë. Operacioni nga Shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Delta Forcë, Guardia di Finanza, Policinë Kufitare Vlorë dhe QNOD. Vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen 577 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një mjet lundrues gomone. Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrollit të territorit dhe koordinimit të veprimeve me QNOD, për kontrollin e hapësirës detare, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, kanë organizuar punën për bllokimin e një mjeti lundrues që dyshohej se kishte lëndë narkotike në bord.

Ndjekja nga deti dhe toka zgjati disa orë. Në vendin e quajtur “Gjiri i Dafinës”, pranë Karaburunit, personat që ishin në bord, në pamundësi për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën dhe u prangosën gjatë ndjekjes nga Policia.

Shërbimet policore kanë sekuestruar mjetin lundrues gomone, në bordin e të cilës u gjetën dhe u sekuestruan 577 kg lëndë narkotike, një pjesë në formë çokollate. Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasve M. B., 43 vjeç, H. M., 27 vjeç dhe Ë. M., 34 vjeç, banues në Vlorë, të dyshuarit si trafikues të lëndës narkotike.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të lëndës narkotike, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit