
Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, ka konfirmuar se rruga drejt liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian është vështirësuar shkaku i zgjedhjeve për Parlamentin Europian, që do të mbahen në maj të këtij viti.
Ndërsa deputetët e opozitës thonë se heqja e vizave s’do të ndodhë as këtë vit.
Bashkimi Europian po ua shuan shpresat kosovarëve për heqje sa më të shpejtë të vizave, pasi nga shtatori i vitit të kaluar nuk ka kurrfarë lëvizje pozitive drejt liberalizimit.
Madje, rruga drejt liberalizimit vetëm sa u vështirësua në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, të cilat do të mbahen në maj të këtij viti.
Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, ka pranuar për gazetën “Zëri” se rruga e Kosovës drejt liberalizimit është vështirësuar.
Sipas saj, heqja e vizave nuk varet nga institucionet e Kosovës, por nga shtetet anëtare të BE-së.
“Rruga drejt liberalizimit është vështirësuar, por ne nuk do të ndalemi së lobuari, pavarësisht se në maj do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian. Tashmë në këta dy-tre muajt është vështirë të jemi prioritet i deputetëve të Parlamentit Europian, derisa ka filluar angazhimi në tërë BE-në për zgjedhjet në Parlamentin Europian, por puna jonë nuk do të ndalet”, ka thënë ministrja Hoxha, duke shtuar se heqja e vizave nuk do të mundë të futet në rend dite pa u siguruar pëlqimi i shteteve anëtare të BE-së.


