![]()
Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë (MGM) së Turqisë në kuadër të Ekspeditës së 3-të Kombëtare Shkencore në Antarktidë, themeloi stacionin e parë automatik të vëzhgimit meteorologjik të Turqisë në “kontinentin e bardhë”.
Në ekspeditën e zhvilluar në kujdesin e Presidencës turke dhe nën përgjegjësinë e Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë, bëhen punime meteorologjike.
Në kuadër të ekspeditës në këtë kontinent u themelua stacioni i parë automatik i vëzhgimit meteorologjik të Turqisë.
Stacioni i themeluar në ishullin Horseshoe ku edhe ndodhet kampi shkencor turk, përfundoi pas një punimi katër ditor. Punimet ndonjëherë u penguan nga era e fortë ndërsa me mbështetjen e shkencëtarëve u përfundua.
– “I rezistuam erës dhe të ftohtit”
Inxhinieri i MGM-së, Mehmet Yıkılmaz në deklaratën për Anadolu Agency (AA), tha se si institucion për herë të parë marrin pjesë në Ekspeditën Kombëtare Shkencore të Antarktidës. Ai theksoi se kanë zhvilluar punime intensive për themelimin e stacionit. “I rezistuam erës dhe të ftohtit. Me këtë stacion do të maten parametra si nxehtësia, lagështia, shtypja si dhe reshjet e borës”, u shpreh ai.
Yıkılmaz tha se kanë pasur vështirësi në mbajtjen e materialeve për shkak të erës së ftohtë. Materialet prej rreth 450 kilogramë, fillimisht me heliktoper i kanë dërguar në bregun e ishullit Horseshoe, ndërsa më pas në kodrën ku është themeluar stacioni.
Ai potencoi se në kontinent mund të instalohet edhe një pajisje e cila do të bëjë matjen e ozonit, duke shtuar se prioriteti i tyre janë të dhënat meteorologjike.
– Do të jap të dhëna për dy vite
Nga stacioni në fjalë gjatë dy viteve do të merren të dhëna meteorologjike si shpejtësia e erës, kahja e erës, nxehtësia, lagështia, shtypja, trashësia e borës, radiacioni global i diellit dhe kohëzgjatja e diellit.
Të dhënat që do të sigurohen nga ky stacion me anë të komunikimit modern satelitor do të transferohen në serverin qendror ku do të ruhen në bazën e të dhënave.
Të gjitha të dhënat e vëzhgimit, do të ndahen me njësitë relevante nga MGM-ja për t’u përdorur në studimet kërkimore.
– Ministri Varank shqyrtoi të dhënat e para
Ndërkohë, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë së Turqisë, Mustafa Varank, duke ndjekur nga afër punimet e stacionit meteorologjik, shqyrtoi të dhënat e para të dërguara nga stacioni.


