
Ashtu sikurse ishte parashikuar delegacioni i parlamentit Europian i dha një goditje të fortë qëndrimeve të opozitës për të braktisur parlamentin dhe për të kërkuar një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të reja.
Madje me gojën e një miku të hershëm të socialistëve ata nuk kursyen as ironitë për statusin martesor të Monika kryemadhit dhe për kursimet në buxhet të pagave të deputetëve që ikën.
Në fakt po të krahasohet qëndrimi i këtyre eurodeputetëve që pak kanë në dorë është në të njëjtën linjë me të gjitha qëndrimet e kancelarive perëndimorë që mund të përmblidhen fare thjeshtë me togfjalishin “kundër opozitës” .
Këtu nuk ka asnjë çudi, sa herë në këtë vend ka pasur kriza, strategjia e ndërkombëtarëve është e qartë, ushtro presion tek hallka më e dobët, pra pakica që të arrish më shpejt rezulat. Vetëm kur nuk çan aty fillo ushtro trysni mbi qeverinë.
Mjafton të përmendësh vetëm një mes dhjetëra rasteve. Kur Berisha bëri kërdinë me zgjedhjet masakër të vitit 1996 që e detyruan PS-në të braktiste zgjedhjet: receta e pajtimit të ndërkombëtarëve ishte “përsërit 40 zona”. Pra ruaje fitoren por vetëm pak ngushtoje atë. Për të mos përmendur pastaj krizën e 21 janarit kur Rama u shpall kreu i celulave antiamerikane dhe kryeministri që vrau “burrë shteti”.
Edhe këtë herë parlamentarët evropianë nuk kanë shfaqur asnjë surprizë. Ata kanë ushtruar presionin maksimal mbi opozitën duke dalë me këto pika kryesore:
Parlamenti është legjitim dhe qeveria është legjitime. Një qeveri tranzitore është e pakuptimte dhe do të dëmtonte reformat dhe hapjen e negociatave.
Zgjedhjet ishin te lira e te ndershme. Ne kemi qenë vëzhgues dhe kemi ekspertizën më të mirë. Probleme sporadike nuk mund të vendosin në pikëpyetje rezultatet.
Çështjet e përgjimeve i takojnë gjykatave dhe jo parlamentit.
Bojkoti, djegia e mandateve dhe dhuna janë të papranueshme.
Monika Kryemadhi tha vetëm një frazë se opozita do vetëm ndërrimin e pushtetit.


