PD ka denoncuar mungesën e shërbimeve publike digjitale. Në një reagim për mediat, zëdhënësja e antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli thekson se Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat e kredive të buta, por nga ana tjetër e-Albania nuk punon.
Partia Demokratike denoncon një tjetër dështim të shërbimeve publike digjitale, që po u mohon qytetarëve një të drejtë themelore: aksesin në programet e strehimit social.
Por në realitet, sistemi nuk funksionon.
Vetë portali ka pranuar publikisht ndërprerje dhe mirëmbajtje të sistemit, por ajo që po ndodh nuk është as ‘ndërprerje e përkohshme’ dhe as ‘ngadalësim’. Është një kolaps i plotë i shërbimit.
Pamundësia për të aksesuar shërbimet digjitale po sjell pasoja konkrete: bllokim aplikimesh, vonesa në regjistrime, pamundësi për të përmbushur detyrime ligjore dhe humbje të të drejtave të garantuara me ligj.
Çdo ndërprerje, edhe e përkohshme, krijon pasiguri, kosto dhe penalitete për qytetarët që varen nga këto sisteme.
Ndërkohë, miliona euro nga taksat e shqiptarëve janë shpenzuar për këto sisteme që sot nuk funksionojnë.
Vetëm në tre vitet e fundit, mbi 8.5 milionë euro janë dhënë për ‘mirëmbajtje dhe përmirësim’ të sistemit të gjendjes civile. Rezultati është i qartë dhe i turpshëm: fondet janë shpenzuar ndërsa sistemi nuk punon.
Ky realitet ngre pyetje për menaxhimin e fondeve publike dhe për përgjegjësinë institucionale.
Nuk është rastësi që SPAK ka sekuestruar mbi 40 milion euro në kuadër të hetimeve të dosjes së Akshit.
Përfundimi është i thjeshtë dhe alarmant: qytetarët po lihen pa shërbim, ndërsa fondet publike shpërdorohen.
Sa kohë që në krye të qeverisë qëndron Edi Rama, shqiptarët do të vazhdojnë të përballen me shërbime që dështojnë dhe me premtime që mbeten vetëm propagandë.
Partia Demokratike kërkon:
Vënien e menjëhershme në funksion të sistemit të aplikimit;
Garantimin e aksesit të plotë për çdo qytetar që kërkon të përfitojë nga programet e strehimit social;
Transparencë të plotë mbi fondet e shpenzuara dhe përgjegjësi për dështimin e sistemit.
Programet sociale janë një detyrim ndaj qytetarëve dhe duhet të funksionojnë pa justifikime.
Qytetarët meritojnë shërbime që punojnë, jo premtime që dështojnë.


