
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, në një tryezë të organizuar nga IKD është shprehur se mungesa e rezultateve, pandëshkueshmëria, mos reagimet mbeten problemet kyçe në luftimin e korrupsionit në Kosovë. Sipas tij, këto janë pasojat e përfshirjes së politikës në sistemin e drejtësisë.
“Ne vazhdojmë të kërkojmë prej politikës që mos të ndikojë në sistemin e drejtësisë, duke u përfshirë në emërimin e prokurorëve dhe gjykatësve, kryeprokurorëve, kryetarëve të gjykatave.
Ambasadori Britanik theksoi se kërkesa e tyre është shumë e qartë, se Kosova nuk mund të jetë strehimore e korrupsionit dhe krimit të organizuar, por që sipas tij, po vazhdohet të dëshmohet e kundërta.
“Deri kur mund të vazhdojë Kosova të ketë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, kur vazhdon të dëshmojë mungesën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Është koha e fundit që zyrtarët me integritet të kontestuar të ecin nga pozitat dhe të ndiqen për veprimet e tyre”, ka thënë ai.
Sipas O’Connell, prokurorët dhe gjyqtarët mund dhe duhet të bëhen heronj të rinj të Kosovës.


