Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ ka dorëzuar sot në KQZ kërkesën për marrjen e formularit tip për të nisur mbledhjen e 50,000 firmave, me qëllim zhvillimin e një referendumi kombëtar kundër ligjit për investitorët strategjikë dhe atë për paketën e maleve.
Në një prononcim për mediat, Adriatik Lapaj, deklaroi se me këto dy ligje po justifikohet vjedhja.
Sot jemi këtu para KQZ për të depozituar dy kërkesa për dy ligje, që po i bëjnë dëm atdheut dhe interesit publik. Ligji për paketën e Maleve dhe ligji për investimet strategjike.
Dy ligje që po justifikohet marrja dhe vjedhja e këtij vendi, ku do t’i përballen me një proces referendar.
Qytetarët me të drejtë firme, 50 mijë prej tyre mund të kërkojnë mbajtjen e një referendumi, ndaj po depozitojmë kërkesat. Do të paraqitemi në çdo rrugë, qytetet, lagje të vendit dhe ftojmë qytetarët që ta çojmë para Shqipërinë, ku qytetarët të shprehen për këto dy ligje.
Referuar kuadrit ligjor, procesi referendar, për shkak të procesit zgjedhor, i bie që nëse gjithçka do të shkojë në rregull, do të mbahet vjeshtën që vjen. Ne mendojmë se do të duhet të mblidhen më shumë firma.”, tha ai.