
Zv/kryeministri, njëherësh edhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç.
Në këtë takim, ministri Pacolli bëri të ditur se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi, janë të mira, siç tha ai në të ardhmen do të ketë bashkëpunime të reja mes dy shteteve.
“Ne kemi pasur një takim shumë të frytshëm sot, kemi folur për marrëdhëniet tona të cilat i kemi vlerësuar të mira. Ne nuk kemi çështje të hapura me Malin e Zi, por sot kemi shtuar vetes punë, detyra të reja të cilat do ti implementojmë. Ne jemi të rrethuar me shtetet të cilat i përkasin NATO-së”, ka thënë Pacolli.
Me tutje, ministri Pacolli theksoi se Kosova e ka mbështetjen e plotë nga Mali i Zi, për rrugën drejt integrimit në BE.
“Mali i Zi kontribuon në sigurinë e Kosovës, dhe është kandidat serioz në integrim në BE, ka hapur të gjithë kapitujt dhe Kosova ka se çfarë të mësojë dhe do të ketë një mbështetje në të ardhmen nga Mali i Zi dhe të njëjtën rrugë do të ndjekë edhe Kosova. Mali i Zi e mbështet Kosovën në çdo fushë. Shpresoj që edhe Kosova së shpejti do të marr statusin e kandidatit për tu anëtarësuar në Europë dhe mbështetja e juaj është e rëndësishme për Kosovën”, tha ai.
Ndryshe, Sot 1 vit Kuvendi i Kosovës ka miratuar demarkacionin me Malin e Zi.


