
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike është duke shqyrtuar pasqyrat financiare të Kuvendit për vitin 2017 dhe Raportin e shpenzimeve për vitin 2018.
Me këtë rast, Kryetari i këtij Komisioni, Driton Selmanaj, ka adresuar një serë çështjesh të ndryshme në lidhje me shpenzimet e Kuvendit të Kosovës për vitin 2017, për të cilat kërkoi raport të qartë se ku kanë shkuar saktë paratë e shpenzuara, raporton KosovaPost.
Sipas tij, prej 11 projekteve, 9 prej tyre nuk janë realizuar fare, Selmanaj kërkoi që edhe çështjet e tjera të ngritura në Komision të gjejnë përgjigje.
“Nga 11 projekte 9 prej tyre nuk janë realizuar. Niveli i ulët i realizmit të tyre ka munguar për 95% dhe përgjegjësia iu adresohet juve si sekretar. Vonesa e hyrjes së subvencioneve, ku Kuvendi jep subvencione për OJQ, gjë që është e palogjikshme. Mangësinë e definimit të ofertave, vendosja e tenderit për kapacitetet teknike dhe konvencionale”, kërkoi përgjigje Selmanaj.
E për këtë, sekretari i Përgjithshëm Ismet Krasniqi është arsyetuar se respektimi strikt i rregullave po shkakton vonesa të shpenzimeve kapitale.
Ndërsa siç tha ai, sipas kontrollit të bërë, mjetet e ndara janë shpenzuar në mënyrë të duhur.
“Është një nga raportet konstantet që Kuvendi e nxjerr me dy rekomandime kjo do te thotë se nuk jemi të kënaqur plotësisht. Çdo shpenzim i Kuvendit të Kosovës ndodhë në mënyrë strikte që buxheti i shpenzuar të shkojë në vendin e duhur. Prandaj Respektimi strikt i procedurave po na shkakton vonesë sa i përket shpenzimeve kapitaleve. Sa i përket subvencionve Kuvendi ka nxjerr në mënyrë formale për zbatimin e këtij ligjit. Në afat prej 60 ditëve shpenzuesi duhet të jap raport vlerësues. Kemi bërë një lloj kontrolli dhe është parë se mjetet e ndara janë shpenzuar në mënyrë të duhur”, ka thënë ai.


