
Arabia Saudite përshëndeti vendimin e administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për përfshirjen e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në listën e “grupeve të huaja terroriste”.
Të hënën, administrata amerikane e cilësoi gardën iraniane si “grup i huaj terrorist”, hap ky që përbën rastin e parë që një agjenci qeveritare përfshihet në listën e zezë si organizatë terroriste.
Në shenjë reagimi, Teherani zyrtarisht e cilësoi Komandën Qendrore Amerikane (CENTCOM) si “organizatë terroriste”.
Vendimi i SHBA-së “plotësoi kërkesat e përsëritura të Mbretërisë ndaj bashkësisë ndërkombëtare për domosdoshmërinë e trajtimit të terrorizmit të mbështetur nga Irani”, tha agjencia zyrtare saudite e lajmeve SPA duke cituar një burim zyrtar në Ministrinë e Jashtme.
Burimi e ka përshkruar hapin e qeverisë amerikane si një “hap praktik dhe serioz në përpjekjet për të luftuar terrorizmin”.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë një qëndrim të vendosur për të trajtuar rolin që luan Garda Revolucionare Iraniane në minimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Garda iraniane fillimisht u krijua për të shërbyer si pararojë e revolucionit të Iranit në vitin 1979. Aktualisht, ajo gëzon më shumë autonomi se pjesa tjetër e ushtrisë iraniane dhe i përgjigjet vetëm liderit suprem të Iranit.


