
Votuesit izraelitë kanë dalë sot të votojnë për anëtarët e rinj të Knessetit (Parlamenti i Izraelit), në zgjedhjet parlamentare të cilat zhvillohen në 10.720 qendra votimi si dhe në ambasadat jashtë vendit.
Sipas Komisionit Zgjedhor, të drejtë vote kanë mbi 6.3 milionë shtetas izraelitë.
Mbi 40 parti garojnë për të fituar ulëse në Knessetin 120 anëtarësh, megjithatë vetëm 12 parti politike pritet të kalojnë pragun zgjedhor, ndërkohë që sipas analistëve, këto do të jenë zgjedhjet më të paparashikueshme në vend.
Partia Likud e krahut të djathtë e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe aleanca politike “Kaltër dhe Bardhë”, e udhëhequr nga gjenerali i pensionuar Benny Gantz, janë rivalët kryesorë në sondazhe.
Gjatë fushatës, Netanyahu u zotua se asnjë kolon i vetëm nuk do të dëbohet nga Bregu Perëndimor i cili do të mbetet nën kontrollin e Izraelit, ndërkohë që për Kudsin, tha se nuk do të ndahet.
Sipas sondazheve të zbatuara kohë më parë, Likud dhe “Kaltër dhe Bardhë” pritet të fitojnë nga 30 vende në Knesset secila.
Nëse Netanyahu fiton edhe një mandat të kryeministrit, ai do të jetë udhëheqësi që më së gjati ka qëndruar në pushtet në historinë e Izraelit.
Netanyahu përballet me akuzat për korrupsion dhe ryshfet në tre raste të ndara.
Kutitë e votimit do të mbyllen në ora 22:00 sipas kohës lokale.


