
Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, janë takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Përfaqësuesit e Listës Serbe dhe përfaqësuesit e tjerë politikë të serbëve në Kosovës, sot janë takuar në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Siç shkruajnë mediet serbe, pas këtij takimi është marrë vendim që serbët e katër komunave veriore të Kosovës të shkojnë në zgjedhje më 19 maj.
Ky vendim sipas drejtorit të të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, u mor pasi që serbët nuk do të lejojnë që shqiptarët e Kosovës përmes këtyre zgjedhjeve të marrin kontrollin e veriut.
Igor Rakiç, ka thënë se Lista Serbe tashmë e ka deklaruar qëndrimin e saj.
“Sa i përket zgjedhjeve, Lista Serbe ka deklaruar qartë qëndrimin e saj pas anulimit të taksës në nëntor të vitit të kaluar, duke paraqitur dorëheqjen. Prishtina tha se nuk pranoi dorëheqjet tona sepse në dorëheqje ishte shkruar “Kosova dhe Metohija”, tha Rakiç, pas takimit.
Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, gjatë ditës së sotme ka thënë se, personalisht do të preferonte që përfaqësuesit e Listës Serbe të marrin pjesë në zgjedhjet e katër komunave veriore të Kosovës në mënyrë që të fitojnë, por sipas tij, këta kryetarë përsëri do të jepnin dorëheqje.


