
Me kërkesë të gjeneralit Khalifa Haftar, komandant i forcave në lindje të Libisë, avionë të huaj luftarakë kanë goditur vendbanimet në Tripoli, tha Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Tripoli.
“GNA dënon në mënyrën më të ashpër sulmin ajror të avionëve të huaj luftarakë me kërkesë të kriminelit të luftës Khalifa Haftarndaj vendbanimit Abu Selim në Tripoli, ku jeton popullsi e dendur, që shkaktoi vdekjen dhe plagosjen e civilëve”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të GNA-së.
Qeveria e Tripolit ka kërkuar nga Kombet e Bashkuara (OKB) dhe komuniteti ndërkombëtar të ndalin sulmet në kryeqytet dhe të nisin hetim dhe të kërkojnë llogari nga shtetet e huaja që ishin pjesë e këtij sulmi.
GNA ka thënë se forcat e Haftarit po ashtu kanë okupuar impjantet e naftës, që përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të libianëve, duke paralajmëruar se kjo gjë do të shkaktojë kaos në tregjet ndërkombëtare të naftës.
Në deklaratë është dënuar heshtja e komunitetit ndërkombëtar ndaj këtij sulmi, të cilin GNA e ka cilësuar si “terrorizëm”.
Ndryshe, më 4 prill, Khalifa Haftar, komandant ushtarak në Libinë lindore, dha urdhrin për nisjen e një ofensive ushtarake për të pushtuar kryeqytetin Tripoli, ku gjendet selia e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të mbështetur nga OKB-ja.
Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.
Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në qytetin lindor të Al-Bayda, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe qeveria e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.


