Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) njoftuan se do të vendosin kufizime të reja në programin bërthamor civil iranian për të rritur presionin mbi Teheranin.
“Që nga 4 maj, çdo ndihmë në zgjerimin e centralit bërthamor në Bouchehr, përveç reaktorit ekzistues, do të jetë subjekt i sanksioneve të SHBA-ve”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Morgan Ortagus në një deklaratë.
“Po ashtu do të sanksionohet çdo tentim për të marrë uranium të pasuruar nga Irani në këmbim të uraniumit në gjendjen e tij natyrore”, tha Ortagus.
Krahas kësaj, i bënë thirrje autoriteteve që të ndalojnë me pasurimin e uraniumit.
Uashingtoni gjithashtu tha se nuk do të toleronte depozitimin e ujit të rëndë të Iranit të prodhuar më tepër se kufiri i lejuar.
Në njoftimin theksohet se Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar për 90 ditë aprovimin për tre projekte brenda kuadrit të programit bërthamor civil iranian.


