Incidentet e dhunshme në Gaza kanë arritur nivelin e tyre më të lartë javor, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në tetor, njoftuan sot Kombet e Bashkuara.
“Numri i incidenteve, duke përfshirë të shtënat, bombardimet dhe sulmet, u rrit me 46% në javën e 12 deri në 18 prill krahasuar me javën e kaluar”, tha Stéphane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.
“Shifra shënoi totalin më të lartë javor që nga fillimi i armëpushimit”, shtoi Dujarric.
Ushtria e Izraelit vazhdon të kontrollojë rreth gjysmën e Rripit të Gazës, ndërsa grupi islamist “Hamas” ka rivendosur kontrollin mbi zonat e mbetura.
“Hamasi” ka këmbëngulur që Izraeli të ndalojë sulmet në enklavë, dhe të lejojë rritjen e ndihmës humanitare, përpara se të kalojë në një fazë të dytë, të një plani paqeje në Gaza, të propozuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Grupi ka vazhduar të refuzojë dispozitat në plan që bëjnë thirrje për çarmatimin e tij.
“Që nga fillimi i armëpushimit, më shumë se 760 palestinezë janë vrarë në territorin bregdetar”, sipas autoritetit shëndetësor të drejtuar nga Hamasi.


