Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sot deklaroi se janë arrestuar 23 persona të nacionalitetit serb dhe boshnjak në territorin e Mitrovicës, Leposaviçit dhe Zubin Potokut dhe se nga mëngjesi i sotëm në fuqi është gatishmëria e plotë luftarake e Ushtrisë së Serbisë.
Vuçiç u adresua me rastin e seancës të Kuvendit të Serbisë të filluar dje kushtuar Kosovës. Ai tha se sot në mëngjes para orës gjashtë ka filluar operacioni i Policisë së Kosovës “nën pretekstin e luftimit të krimit të organizuar”. Ai shtoi se deri më tani janë arrestuar 23 persona të nacionalitetit serb dhe boshnjak në territorin e Mitrovicës, Leposaviçit dhe Zubin Potokut.
Ai po ashtu tha se që nga mëngjesi i sotëm është në kontakt me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, të cilët e kanë njoftuar se ky ishte një operacion i policisë kundër krimit dhe korrupsionit dhe se të njëjtën gjë ia ka thënë edhe NATO.
“Ajo që ne kemi ndërmarrë, disa herë kam thënë – ne do të ruajmë paqen dhe stabilitetin me çdo çmim, por e kemi shumë të qartë se për çfarë hipokrizie bëhe fjalë dhe sot në mëngjes urdhërova gatishmërinë e plotë luftarake të njësive tona. Ushtria jonë, nëse vjen te çfarëdo kërcënimi serioz për rendin dhe rrezikimin e jetës të njerëzve do të mbrojë popullin tonë”, tha Vuçiç.
Sipas tij, ka informacione se është rrahur dhe ndaluar edhe një shtetas rus.
Më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bëri të ditur se në tërë territorin e Kosovës, janë në vijim operacionet policore me urdhër të Prokurorisë, kundër individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera penale.
Haradinaj në rrjetin social Facebook shkroi se disa prej njerëzve të përfshirë në këto aktivitete kriminale janë doganierë, policë dhe qytetarë të thjeshtë dhe se operacioni është zbatuar me sukses edhe në komunat në veri të Kosovës.
“Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin”, theksoi ai.
Gjithashtu edhe Policia e Kosovës njoftoi se operacioni që aktualisht po zhvillohet në veri të Kosovës u parapri nga një hetim një-mujor të Inspektoratit dhe Policisë së Kosovës, drejtuar nga Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila rezultoi me dyshim të arsyeshëm se disa policë dhe qytetarë janë përfshirë në aktivitete kriminale të kualifikuar si “pjesëmarrje ose organizim të një grupi kriminal”.
“Ky operacion policor është ende në vazhdim e sipër, si pasojë e rezistencës në Veri të Mitrovicës një zyrtar policor është plagosur, por është jashtë rrezikut për jetë, përderisa deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, disa qytetarë si dhe janë konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë”, njofton Policia e Kosovës.


