Ankara
Forcat e Armatosura të Turqisë kanë nisur një operacion të madh ushtarak kundër pozicioneve terroriste në rajonin Hakurk në veri të Irakut, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes
Siç thuhet në njoftimin e ministrisë, operacioni zhvillohet me pjesëmarrjen e njësive artilerike, avionëve të Forcave Ajrore dhe komandove.
Në kuadër të operacionit, emëruar si “Plani Operativ Kthetra”, artileria turke dhe forcat ajrore që nga pasdita e djeshme kanë nisur gjuajtjet në zonat ku gjenden të pozicionuar terroristët e PKK-së në rajonin Hakurk.
Më pas, thuhet në njoftim, në mbrëmje ofensivë kanë nisur edhe brigadat e komandove.
“Operacioni vazhdon në mënyrë të planifikuar edhe me mbështetjen e helikopterëve Atak. Ky operacion synon asgjësimin e shpellave dhe bunkerëve të përdorur nga organizata terroriste në rajonin Hakurk dhe neutralizimin e terroristëve”, theksohet më tej.
Në njoftimin e saj, ministria ka publikuar edhe disa pamje nga ofensiva.
Në fushatën e saj më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.


