Britani, shpallet e paligjshme shitja e armëve në Arabinë Saudite

Mos i humb

Eksportet e armëve në Arabinë Saudite janë shpallur të paligjshme sepse ato kanë kontribuar në nivele të larta të vdekjeve dhe viktimave civile në bombardimet e Jemenit nga forcat e koalicionit të udhëhequr saudit.

Gjykata britanike e Apelit bëri të ditur se vendimi u miratua nga tre gjyqtarë të lartë pasi ata pranuan sfidën ligjore nga grupi i Fushatës kundër Tregtisë së Armëve, i cili ka akuzuar qeverinë për licencimin e shitjes së armëve kur ishte e qartë se shitjet e tyre mund të shkelin të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Fushatës kundër Tregtisë së Armëve, eksportet e armëve në vlerë prej 4.7 miliardë paundë (rreth 5.3 miliardë euro) në Arabinë Saudite janë licencuar nga qeveria që kur në vitin 2015 filloi ndërhyrja e udhëhequr saudite në Jemen.

“Qeveria britanike nuk bëri vlerësime përfundimtare nëse koalicioni i udhëhequr saudit kishte kryer shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare në të kaluarën, gjatë konfliktit të Jemenit dhe nuk bëri asnjë përpjekje për ta bërë këtë”, tha gjykata.

Eksportet e armëve britanike nënshkruhen nga Ministria e Punëve të Jashtme, ajo e Mbrojtjes dhe nga ajo e Tregtisë Ndërkombëtare. Ish-sekretari i jashtëm, Boris Johnson dhe sekretari i tanishëm, Jeremy Hunt, kanë mbrojtur shitjen e armëve britanike në Arabinë Saudite.

Rreth 8.4 milionë persona janë në rrezik të urisë së rëndë dhe mbi 22 milionë të tjerë ose 75 për qind e popullsisë së Jemenit kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Jemeni i varfër është dëmtuar nga konflikti që nga viti 2014 kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015 kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj sunitë arabë nisën një fushatë të gjerë ushtarake që synonte të rikthente tokat e pushtuara nga Houthi në Jemen dhe të mbështeste qeverinë e përkrahur nga Arabia Saudite.

Lufta ka rezultuar në një ekonomi të shkatërruar dhe një shpërthim të kolerës që ka prekur mbi 1.1 milion njerëz.

Rijadi vazhdimisht ka akuzuar rebelët Houthi se ka vepruar si një forcë përfaqësuese e Shia Iranit, armikut të Arabisë Saudite në rajon.

Thirrjet janë bërë për qeveritë anembanë globit për të ndalur shitjet e armëve në Arabinë Saudite, duke rezultuar në pezullimin e shitjeve të tilla në Gjermani.

Kritikat ndërkombëtare kundër mbretërisë së Gjirit u rritën në veçanti pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në tetor të vitit të kaluar.

Një raport i OKB-së dje tha se shteti saudit ishte përgjegjës për vrasjen e Khashoggit dhe bëri thirrje për hetime të mëtejshme mbi incidentin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit