Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në Kuvend se fermerëve shqiptarë iu hoqën subvencionet e naftës në kohën e krizës më të rëndë të çmimeve.
Gjatë seancës plenare, Berisha u shpreh se kjo është politikë jo vetëm e falimentimit të fermerëve, por e shpopullimit dhe largimit të tyre.
“Shqiptarët e dinë mirë se një nga mjetet e largimit të tyre nga ferma, nga toka e tyre është nafta. Nafta që s’blihet dot. Dhe me krahë nuk ia dalin dot. Ndaj dhe ata nisen. Si ka mundësi që në kulmin e shtrenjtimit të naftës, ju u thoni atyre se jua hoqëm edhe subvencionin e naftës?! Subvencionin të cilin e kanë të gjitha vendet përreth, të gjitha vendet europiane”, tha Berisha.
Ndërkohë Berisha theksoi se “fermerët në këto vende marrin qindra-milionë euro nga taksat e fermerëve europianë, ndihmë nga IPARD-i”.
Ndërkohë sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk përfiton nga fondet IPARD.


