![]()
Hatice Cengiz, e fejuara e gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi, vë në dukje heshtjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman, mbi raportin e raportueses së posaçme të OKB-së, Agnes Callamard, e cila zbuloi “prova të besueshme” për hetimin e mëtejshëm të zyrtarëve sauditë, përfshirë princin e kurorës saudite.
Pasi mbërriti në Gjenevë për të marrë pjesë në seancën e 41-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së (UNHCR), Cengiz foli për Anadolu Agency (AA) dhe komentoi raportin e fundit të OKB-së, heshtjen e princit të kurorës saudite dhe jetën e saj pas vrasjes së Khashoggit.
Callamard thotë se raporti i raportueses të posaçme të OKB-së tronditi Zyrën e OKB-së në Gjenevë dhe komunitetin ndërkombëtar, por sipas saj, edhe vetë Callamard mund të jetë habitur me vëmendjen që raporti ka tërhequr.
“Provat e mbledhura nga hetimi propozojnë se vrasja e Khashoggit përbën një vrasje jashtëgjyqësore, një zhdukje me forcë dhe ndoshta një akt torture për të cilin shteti i Mbretërisë së Arabisë Saudite është përgjegjës”, tha raporti i raportueses Callamard.
Raporti i saj vuri në dukje se hetimi zbuloi dëshmi të besueshme të përgjegjësisë individuale të zyrtarëve sauditë, përfshirë atë të princit të kurorës saudite, Mohammad bin Salman, “heshtja” e të cilët në raport ishte një burim kurioziteti për Cengiz.
“Ajo që ai (princi i kurorës) nuk është prononcuar asnjëherë për emrin e tij të përfshirë në vrasje si i dyshuar, tregon se disa njerëz posedojnë prova për përfshirjen e tij të mundshme në këtë incident”, tha Cengiz.
Ajo tha se bin Salman ndoshta hesht për shkak se është i shqetësuar se mund të dalin provat që e lidhin atë me vrasjen nëse hetimi shkon më thellë.
“Unë mendoj se kjo heshtje sugjestive duhet të adresohet”, thekson ajo, duke deklaruar se nuk ka kuptim kjo heshtje e princit të kurorës pavarësisht se është përmendur në raportin e OKB-së.
“Pse nuk bëri një refuzim të vetëm… Kjo është pikëpyetja”, shprehet Cengiz.
Duke kujtuar se raporti i raportueses Callamard i bëri thirrje OKB-së për të nisur një hetim penal ndërkombëtar, Cengiz tha se, “Kjo (thirrje) është për sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, pasi ajo është pozita më e lartë që është në gjendje të nxisë botën (për të vepruar)”.
Më tej, ajo u bëri thirrje vendeve perëndimore si Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Norvegjisë, që të mbështesin hetimin penal ndërkombëtar, pasi ai që udhëhiqej nga Arabia Saudite “humbi legjitimitetin dhe ndoshta mbron autorët”.
Mosnjohja e vendndodhjes së trupit të Khashoggit është shkatërruese për Cengizin pasi e bën atë të mendojë se Khashoggi mund të jetë ende gjallë.
“Kjo është një traumë emocionale. Unë ende pyes veten se çfarë ata bënë me trupin e Jamalit, ku ata e çuan atë, këto pyetje më vendosin në mëdyshje mua. Gjëra të frikshme vijnë në mendjen time, nëse ata tretën trupin ose bënë diçka tjetër. Por, unë jam absolutisht në errësirë rreth vendndodhjes së trupit”, shprehet Cengiz.
Khashoggi u vra më 2 tetor të viti të kaluar nga një grup operativësh sauditë pak pasi hyri në konsullatë.
Autoritetet e Arabisë Saudite ofruan disa rrëfime kontradiktore për të shpjeguar zhdukjen e gazetarit saudit para se të pranonin se ai u vra në ndërtesën diplomatike, duke hedhur fajin për vrasjen e Khashoggit ndaj një lëshimi operacional të kryer nga agjentë mashtrues.


