![]()
Tubacioni i gazit Trans-Anatolian (TANAP), të korridorit më të gjatë jugor të gazit nga sot është i gatshëm për shpërndarjen e gazit nga Azerbajxhani në Europë.
Kompania e ngarkuar për projektin TANAP njoftoi se ka përfunduar pjesa prej 1850 kilometrash e cila nga Ardahani kalon përmes 20 provincave, 67 rretheve dhe 600 fshatrave në Turqi.
TANAP nga sot është i gatshëm që gazin nga puset azere të gazit Shah Deniz 2 në kufirin turko-grek t’i shpërndajë gazësjellësit Trans-Adriatik (TAP). Pasi të përfundojë TAP, gazi azerbajxhanas nga viti i ardhshëm do të jetë i disponueshëm në tregun evropian.
Presidenti i kompanisë së naftës SOCAR, Rovnag Abdullayev tha se vitin e kaluar ka filluar dërgesa e parë e gazit në Turqi përmes TANAP-it.
“Nga dita e sotme TANAP është i gatshëm për shpërndarjen e gazit natyror në Evropë dhe vetëm është duke pritur përfundimin e punimeve të TAP. Sot Azerbajxhani i tregoi gjithë botës se është mjaft i suksesshëm që projektet e mëdha, jo vetëm në vend, por edhe jashtë saj, t’i realizojë me efikasitet të lartë dhe në kohë”, tha Abdullayev.
Rrjedha e gazit në Turqi përmes TANAP-it, investimi i së cilës mban koston rreth 7 miliardë dollarë ka filluar më 30 qershor 2018.


