Abrashi e shpalos planin e LDK-së për Luginën

Mos i humb

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, e ka thumbuar bashkëpartiakun e tij, Lutfi Haziri, duke i thënë se është populist.

Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për gjendjen në Luginën e Preshevës, Medvegjë e Bujanoc, në emër të partisë, ka thënë se janë disa masa konkrete që duhet të marrë Kosova, derisa kundërshtoi idenë për shkëmbim me territore, të mbështetur edhe nga nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri.

Abrashi tha se Qeveria e Kosovës duhet të ketë plan konkret për përmirësimin e jetës së tyre dhe gjetjes së një zgjidhje për situatën e rëndë.

Fjalimi i plotë:

Fjalimi i deputetit Arban Abrashi në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së lidhur me situatën aktuale të shqiptareve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – angazhimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për të drejtat dhe vështirësitë e tyre

Javë më parë, së bashku me 5 deputet tjerë, kolegë të Komisionit për arsim dhe komisionit për administratë, vizituam Tupallen, Banjen e Siarines, Ternovcin, Medvegjen, Bujanocin e Presheven, ndaluam edhe në Vranje që të informohemi, më mirë, më shumë, nga dora e pare për gjendjen atje.

Gjendja atje, perspektiva në zbehje, një e ardhme e zymte që po projektohet, bën që ne sot si Kuvend të reagojmë, të sensibilizojmë edhe më tej çështjen, si dhe të gjejmë bashkërisht zgjidhje për problemet e shqiptareve në Luginën e Preshevës

Të flasësh pas vizitës, është mjaftë e vështirë dhe e rëndë. Sepse po flasim për një vend, një hapësire, ku mbizotëron një një situatë e pashpresë, ku qytetaret kanë kufizime në të jetuar e vepruar, me mungesa të theksuara në segmentin edukativo-arsimor, progresin ekonomik e zhvillimor dhe të mirëqenies, nën presionin e përditshëm sistematik e të projektuar për largim nga shtëpitë e tyre. Ne vizituam shkollat, institucionet lokale, përfaqësues te shqiptareve, mediet e bizneset, si dhe ndaluam tek disa familje..

Aty u njoftuam me situatën dhe gjendjen e rëndë në arsim në përgjithësi, sikurse edhe vështirësitë sa i përket furnizimit me tekste mësimore, nostrifikimin e diplomave, implementimit të marrëveshjeve për sa i përket njohjes së diplomave, mungesës se kabineteve, gjendjes se infrastrukturës në këto shkolla, e më së keqi, me zvogëlimin e rënien e vazhdueshme të numrit të nxënëseve në këto shkolla.

Në Këshillin Kombëtar Shqiptar u njoftuam me situatën e përgjithshme politike, me kërkesat e tyre karshi Kosovës e Shqipërisë, si dhe diskriminimin e vazhdueshëm që ua bënë shtetit serb, posaçërisht në sferën e punësimit të të rinjve shqiptar në institucionet qendrore.

Ne komunën e Medvegjes, nga 87 punëtoret e administratës, vetëm 3 janë shqiptar, kurse gjendja në institucionet tjera qendrore, është edhe më e keqe. Spitali rajonal, ku rreth 35 përqind e pacienteve janë shqiptar, nuk ka të punësuar asnjë shqiptar.

Investimet në infrastrukturë, shëndetësi, mjedis e fusha tjera janë nën nivelin e mesatares së investimeve në Serbi.

Sot komunat e banuara me shqiptarë, janë dukshëm më të pazhvilluara, që vërtetohet edhe me statistikat e vet shtetit serb, prandaj po flasim për një politike të organizuar dhe formuar në atë mënyre, që në komunat që banohen me shqiptarë por edhe komunat tjera me popullatë jo serbe, të mos investohet, në mënyre që perspektiva e banoreve të zbehet dhe errësohet vazhdimisht, dhe të motivohet migrimi

Sot në shkollën e Tupalles, vijojnë mësimin 7 nxënës, kurse me nxënësit e Kapitit e Gjylekreshtes ky numër arrin vetëm 16; pas ndonjë viti edhe këto shkolla rrezikojnë të mbyllen, këta njerëz po shohin kah Kosova, përkatësisht Prishtina e Fushë Kosova për të ndërtuar ardhmërinë e tyre. Fatkeqësisht, arsimi nuk është problem i tyre i vetëm, ata ballafaqohen edhe me shumë problem tjera, ndër to:

Diskriminimi sistematik në çdo sferë, i vendbanimeve me popullsi shqiptare, në Medvegje, Malësinë e Bujanocit, e Karadak të Preshevës.

Ky diskriminim programor e sistematik, rrezikon ndryshimin e përbërjes etnike të popullsisë si plan afatgjatë, kurse si veprim me efekt të menjëhershëm, ky diskriminim ka shpërfaq rezultate negative, edhe në proceset e fundit zgjedhore, ku shumë qytetare të Luginës së Preshevës, nuk kanë mund të ushtrojnë të drejtat e tyre, për të zgjedh dhe për të qenë të zgjedhur. Sfidat tjera, vërehen dukshëm nëpër shumë fusha. Mungesa e aktiviteteve kulturore për shkak të mos përkrahjes së nevojshme financiare.

Një praktikë e keqe, e ushtruar në mënyre sistematike, është edhe shpërndarja e ftesave për “biseda informative nga policia e xhandarmeria serbe” – një praktikë që në Kosovë e njohim nga koha e Millosheviqit – e gjithë kjo, me qellim të frikësimit të qytetarëve dhe krijimit të një gjendje të pasigurisë, që ndikon në shpërngulje, mungesë të investimeve, mungesë të perspektivës dhe mirëqenies bazike dhe të planifikimit të jetës.

E përpos këtyre problemeve, edhe ato marrëveshje të arritura e zotuara për implementim, ende mbesin vetëm në letër, si:

Mos implementimi i marrëveshjes, të vitit 2001 (i njohur si marrëveshja e Koncullit), pastaj marrëveshja e vitit 2009 njohur si marrëveshja për ristrukturimin e trupit koordinues dhe marrëveshja e vitit 2013, masat urgjente apo plani 7 pikësh.

Te nderuar deputetë,

dhe sot këtu duhet të nisim hapat e parë konkret në përmbysjen e kësaj situate për të kthyer shpresën, perspektiven, duke ofruar siguri e përkrahje për ata banorë të mbetur pa shpresë e mbështetje duke treguar seriozisht se Prishtina mendon për ta, dhe jo që vetëm mendon por edhe reagon e vepron me masa konkrete, me një plan të menduar mirë afatshkurtër dhe afatgjatë dhe këtë nismë, duhet ta fillojmë sot këtu, në Kuvend, duke kërkuar nga ekzekutivi te përmbush obligimet e ti tejkaloj ato, duke ndërmarrë nisma të reja sistematike, mbështetur në një plan konkret që tejkalon mandatet qeveritare dhe politikat ditore.

Ne, Republika e Kosovës, duhet krijojmë Programe, mekanizma e projekte konkrete, sikurse edhe afate dhe përgjegjës për realizimin e tyre, në funksion të përmirësimit të jetës së shqiptareve në Luginë të Preshevës, si dhe në ruajtjen e identitet të tyre kombëtar.

Të nderuar deputetë dhe ju ambasadorë,

Shtypja e diskriminimi, edhe pse i ka lodhur këta qytetarë, ata vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre, dhe ne duhet të ju ndihmojmë. Ata duhet ta ndjejnë, ta shohin e përjetojnë ndihmën dhe mbështetjen tonë financiare, politike, dhe diplomatike. Është vërtet fatkeqësi që sot, në vitin 2019, në Evropë, në atë pjesë të Ballkanit dhe Serbisë, të një shteti që aspiron të jetë anëtar i BE-së, Shqiptarët e Luginës të jetojnë në një gjendje të pa perspektivës totale, të diskriminimit etnik, kulturor dhe social.

Ata, ende edhe sot – luftojnë për të drejtat bazike elementare – për tekste shkollore, për mundësinë ligjore të nostrifikimit të diplomave, për përdorimin e simboleve kombëtare, simbole këto të përdorura edhe gjatë periudhës se monizmit jugosllav.

Kosova e bashkuar, Republika jonë – filluar nga Qeveria dhe të gjitha institucionet përkatëse deri te Akademia, duhet të mobilizohen për hartim të një Programi afat shkurtër dhe afat mesëm për “Luginën e Preshevës”, një Plani Ekzekutiv që ka fonde dhe ekipe permanente që merren me këtë çështje, duke përfshirë realizimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës, të vitit 2013.

Lugina apo Kosova Lindore, qytetarët tanë atje – s’guxojnë të jenë monedhë për kusuritje – në dorë të askujt: as të politikanëve popullist Serb, as të politikanëve popullist Kosovarë, dhe as atyre të Shqipërisë apo të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Në kuadër të bisedimeve me Serbinë, ne duhet t’i ofrojmë SHBA-ve dhe BE-së e Beogradit, garën e hapur të mendësisë evropiane – platformën për diskriminim të njëjtë pozitiv – ekuivalent – aq sa ka të drejta ligjore e Kushtetuese për komunitetet në Kosovë – aq të ketë edhe në Serbi për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe pakicat tjera atje.

Integrimet e përshpejtuara evropiane të të gjithë regjionit, por veçanërisht, mobilizimi dhe fokusimi i Kosovës dhe Shqipërisë në Integrime Evropiane të përshpejtuara e ndihmon Luginën dhe shqiptarët atje, i faktorizon dhe liron nga prangat e politikave tradicionale serbe të shovinizmit dhe diskriminimit.

LDK, do te mbështet çfarëdo rezolute, projekti, apo ndarje të fondeve që sot ne si kuvend zotohemi ta realizojmë.

Si masa konkrete propozoj:

Që Republika e Kosovës, të mbështesë Financiarisht dhe me çdo formë tjetër, hapjen e Zyrave të Luginës, që do të Administrohen nga “Këshillin Kombëtar Shqiptar” atje – në:

  1. Bruksel – që të komunikohet me BE-në (ku k zyrën e vet edhe Vojvodina, Tiroli e regjione të ndryshme të Evropës Qendrore), për thithje të donacioneve e për shpalim të gjendjes dhe kërkesave;
  2. Beograd – ku janë të gjitha Ambasadat e akredituara në Serbi – që të komunikohet mbi baza të rregullta për çështje politike, ekonomike e zhvillimore;
  3. Prishtinë dhe Tiranë – për koordinim dhe komunikim të përhershëm politik, diplomatik. Kulturor dhe ekonomik.

Në këto zyra, të punësohet staf i përgatitur profesional, me shkollim nga sferat e politikave të BE-së, të Diplomacisë dhe Ekonomisë.

Lidhur me masat që përmenda më lartë, Lidhja Demokratike e Kosovës, propozon që një ekip profesional, të hartojë një Program konkret dhe buxhet, i cili duhet të akomodohet menjëherë, në Buxhetin e vitit 2020 – dhe ky të jetë një buxhet i përhershëm.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit