
Drejtuesit e Lëvizjes për Drejtësi, kanë mbajtur një konferencë për medie, ku është thënë se ka ardhur koha që të largohet keqqeverisja me vendin , kjo pasi situata në të cilën ka rënë politikbërja dhe qeverisja në nivelin qendror janë alarmante.
‘Dështime të panumërta dhe paaftësia për tu përballur me sfidat duke hapur me ose pa qëllim problematikat e reja, duket se janë bërë tashmë mjaft të zakonshme. Ajo çfarë dhemb më së shumti duket të jetë kusaria politike e mungesa e papërgjegjësisë morale se në politikë ka më shumë punë me kokë sesa kallxime të gjokseve e batutave pa shije’, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja për Drejtësi.
Për më tepër kjo parti vlerëson se për një pjesë mjaft të madhe të qytetarëve duket se zhgënjimi është thelluar. Dëgjohet shpesh të thuhet se nuk ka hajër në këtë vend.
Pyetja shtrohet; a kanë të drejtë të jenë pesimistë ish-optimistët e parë të Ballkanit?
Lëvizja për Drejtësi konsideron se zhvillimet e javëve të fundit nisur nga turpi i Grupit Negociator të cilin e nxorri “jashtë loje” vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dështimet e bisedimeve të hapura e të fshehura, amullia totale se ku ka mbetur e le të dihet se nga po shkohet në bisedimet me Beogradin, kriza e inskenuar humanitare në veri të Mitrovicës por pa ndonjë strategji efikase, këshilltari i presidentit që na del të jetë agjent për shtetin që më së paku mund ta quajmë kojshi, skenari absolutisht i paqartë për Luginën e Preshevës, Medvegjën e Bujanocin, heqja e sistemit të lëvizjes së lirë në Evropë tashmë është një ëndërr e thyer, shpenzime marramendëse për fanta e coca-cola të kryetarit të shtetit, afera EuroLab për zhvatje e monopolizim të homologimit të veturave.
Për të vazhduar me dështimet financiare dhjetëra milonëshe të kompanisë publike Telekom e Vala ku për pak u harrua edhe Z-mobile. Në anën tjetër as spastrimet e brendshme nga rradhët e PDK-së e as gjyqet ku të akuzuarit e rastit “pronto” dalin buzagaz nga seancat nuk janë ndonjë dëshmi se gjërat janë në rrugën e duhur.
Kalvari i bëmave dështuese që na kanë vendosur në një udhë pa krye është shumë i gjatë të nderuar qytetarë. Rritja e varfërisë, papunësisë, mungesa e prespektivës në vazhdim për të rinjtë, kriza institucionale që sa vjen e thellohet, kapja e drejtësisë, pandalshmëria e uzurpimit të pozitave publike nga militantët e tarafet politike po e forcojnë çdo ditë e më shumë nevojën për zgjedhje që mund të sjellin zgjidhje.
Nga pas-lufta deri më sot, minimumi që do të duhej t’u sigurohej qytetarëve ishte mirëqenia, apo të ndihet përkrahja e institucioneve, në mënyrë që ai të mos ndihet i vetmuar.
Me thyerjen e amanetit të dëshmorëve, familjarët e tyre, vazhdojnë të ndihen të vetmuar!
Prindërit për fëmijët e tyre që përfundojnë shkollimin duke trashëguar dukuritë negative, vazhdojnë të ndihen të vetmuar!
Punëtorët në punë në mungesë së trajtimit dinjitoz, vazhdojnë të ndihen të vetmuar!
Prodhuesit si viktimë e mitos, vazhdojnë të ndihen të vetmuar!
Pensionistët në dimër e në verë duke pritur në rradhë pensione, vazhdojnë të ndihen të vetmuar!
Të sëmurët në dyert e spitaleve, vazhdojnë të ndihen të vetmuar!
Studentët me diploma në dorë, në pritje të vizës, vazhdojnë të ndihen të vetmuar!
Të fundosurit në kredi, vazhdojnë të ndihen të vetmuar!
Fshatrat e lagjet me zbrazjen e tyre, vazhdojnë të ndihen të vetmuara!
Mjaft më me PANdershmëri!
Mjaft më me PANgopësi!
Zgjedhjet janë zgjidhje!
Lëvizja për Drejtësi i bën thirrje kësaj qeverie që me akt moral të hap rrugë për alterantivë tjetër në mënyrë që të dilet nga ky ngërç i krijuar. Nuk është vonë ta bëjmë kthesën për ndryshim”, u tha në këtë konferencë për media.


