
Sot, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq nga Poznani, nga ku po mbahet Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, deklaroi se Ramush Haradinaj i ka thënë se vendimi për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë është lajm i rremë.
Megjithatë, kjo u demantua kategorikisht nga këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj.
Ai i tha lajmi.net se kjo është një shpifje e medieve serbe, pasi vendimi i MPJ-së është në koordinim të plotë më kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Kjo është shpifje e medieve serbe. MPJ ka marrë vendim në koordinim të plotë me kryeministrin dhe Qeverinë”, tha Zyberaj për lajmi.net.
Ani pse MPJ është pjesë e Qeverisë së Kosovës, shihet se nuk ka aspak koordinim me kryeministrin.
Zyrtarja për media e kryeministrit, Donjeta Gashi i ka thënë lajmi.net se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë vendim për ndalimin e zyrtarëve serbë.
Mirëpo e pyetur se a ka pasur së paku koordinim më MPJ-në, ajo ka refuzuar të përgjigjet.
“Qeveria e Kosovës nuk e ka marrë një vendim të tillë”, ka thënë shkurt ajo për lajmi.net.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës mori vendim të enjten që asnjë zyrtari nga Beogradi të mos i japë leje të hyjë në shtetin e Kosovës,pas provokimeve e sjelljeve që po vijnë nga ky vend.


