
Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se plakja e popullsisë e shoqëruar me emigrimin masiv kanë filluar të dëmtojnë ekonominë shqiptare dhe perspektivën e saj për të ardhmen.
Puna është një nga faktorët kryesorë të prodhimit në një ekonomi. Më pak punë do të thotë më pak prodhim. Por dëmtimi i rritjes ekonomike nuk është pasoja e vetme negative. Përkeqësimi i treguesve demografikë rëndon edhe financat e shtetit.
Gjatë periudhës 2015-2019 numri i pensionistëve u rrit me 12%. Plakja e popullsisë mund të rrisë kostot e buxhetit për shëndetësinë dhe pensionet.
Përkeqësimi i treguesve demografik në Shqipëri vjen nga dy fronte. Përveç rënies së lindshmërisë, forca e aftë për punë po gërryhet edhe nga emigracioni, veçanërisht i trurit. Kjo ka dhe një pasojë të tretë frenuese për ekonominë.
Plakja e forcës punëtore dhe emigrimi i trurit mund të përkeqësojë produktivitetin mesatar të punës në ekonominë shqiptare”
Sipas FMN së bashku me varësinë e lartë nga kushtet klimaterike, plakja e popullsisë janë dy risqet më të mëdha për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. Për të zbutur këto rreziqe ekspertët e fondit i kanë këshilluar qeverisë që të forcojë financat e shtetit duke rritur të ardhurat nga taksat si dhe të rinisë reformat strukturore, të cilat sipas FMN-së janë ngadalësuar ndjeshëm në mandatin e dytë të qeverisë, që kur përfundoi programi me fondin.


