![]()
Policia e Hungarisë njofton se ka gjetur dhe ka nxjerrë trupin e pajetë të koreanojugores nga lumi Danub, duke e çuar në 27 numrin e viktimave të përplasjes së anijes së udhëtarëve dhe kruzerit që ndodhi më 29 maj.
Policia sot njoftoi se ka gjetur trupin në fshatin Makad, 58 kilometra në rrjedhën e poshtme nga vendi i përplasjes në urën Margit në Budapest.
Deri më tani është konfirmuar vdekja e 25 nga 33 turistët e Koresë së Jugut si dhe 2 shtetasve hungarezë që ishin pjesë e ekuipazhit të anijes turistike. Një shtetas i Koresë së Jugut ende llogaritet i zhdukur ndërsa 7 janë shpëtuar natën e aksidentit.
Kapiteni i kruzerit “Viking Sigyn”, një shtetas i Ukrainës, është i vetmi i dyshuar për aksidentin deri më tani. Anija turistike “Hableany” u nxorr nga Danubi me një vinç më 11 qershor.


