
Anëtarët e komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, kanë ngritur shqetësimet e tyre kundrejt ministrit Fatmir Matoshit për zgjidhjen e problemeve të banorëve të fshatit Biti të Komunës së Shterpcës, raporton KosovaPost.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba ka thënë se duhet të merren parasysh shqetësimet e banorëve si dhe ka kërkuar të dijë nga ministri Matoshi se kush është duke përfituar me testimin e energjisë elektrike tek këto hidrocentrale.
“Sipas cilit studim i është dhënë ajo leje hidrocentraleve. Duhet me e pas parasysh shqetësimet e banorëve. Nuk ka pasur vizita tek banorët. Kanë bërë bllokada, protesta dhe a iu është përgjigjur ministria ndonjëher.
Ka pesë vjet në anën e testimit të energjisë elektrike, dikush si duket po përfiton nga kjo”, pyeti Zyba.
Kurse deputeti Liburn Aliu, kërkoi komision hetimor mbi këtë çështje, pasuar sic tha ai kjo çështje duhet të shkojë deri në fund.
“Kemi një mosbashkëpunim institucional. jo është mirë që kemi ardhë në këtë pikë. Këtë ligj e shihni si 30% si masë jo në rregull të ujit, ne mund ta ndryshojmë ligjin, është ana e juaj me sponsorizu këtë ligj. Ambienti nuk është i asnjë partie politike por i të gjithëve. Duhet një komision hetimor me ju mbështet juve si ministri. Duhet ta dërgojnë çështjen deri në fund”, tha Aliu.Ndërsa, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, theksoi se nëse ministri nuk ka kompetenca atëherë deputetët do ta rishikojnë ligjin.
“E thatë disa herë që nuk keni kompetencë për më e ndalë këto punime dhe me vazhdua ne sanimin e këtij problemi që ka me qenë problem edhe për gjeneratat e ardhshme. Nëse ju thuani që deputetët kanë përgjegjësi atëherë Ne duhet ta kryejmë punën tonë si deputetë e ti rishikojmë ato ligje”, tha Musliu.
E për këto akuza, ministri Fatmir Matoshi iu ka drejtuar deputetëve që të nxjerrin në fuqi ligjin dhe ministria do ta zbatoj e do ti ndërpres ato punime.
“Problemet nuk ndalen me vizita deputete Musliu, nxjerrin në fuqi dhe ne e zbatojmë e ndërprejmë menjëherë. Deputetët i kanë votuar ne vetëm i zbatojmë. Këtë mundet me e bërë veç Kuvendi ne vetëm e zbatojmë.
Ministria ka përgjegjësi, çdo lëndë që ju doni me marrë ka të drejt me e shikua. E vërteta është vetëm një, derisa unë e kam ngritë këtë çështje para dy muaj askush nuk është marrë më këtë çështje. Derisa kjo gjë është bërë që 10 vjet nuk mundem me e rregulluar për disa muaj”, ka thënë Matoshi.


