![]()
Zyrtarë të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) kanë arritur marrëveshje për të furnizuar komandantin ushtarak në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, me luftëtarë nga Sudani dhe vendet fqinje në përpjekjen e tij për të marrë nën kontroll kryeqytetin Tripoli, raportoi një gazetë me bazë në Londër.
Gazeta Al-Araby Al-Jadeed, duke cituar burime libiane dhe egjiptiane, tha se një mobilizim i gjerë i trupave është duke u zhvilluar në gjithë kufirin perëndimor të Egjiptit dhe në kufirin jugor të Libisë, me fonde nga EBA dhe Arabia Saudite.
Gazeta, duke cituar një burim egjiptian, tha se disa marrëveshje janë nënshkruar në ditët e fundit me milicitë afrikane nga vendet fqinje të Sudanit për të marrë pjesë në operacionin e Haftarit për të pushtuar Tripolin, në këmbim të shumave të parave.
Burimi ka theksuar se marrëveshjet janë finalizuar me militantë nga Çadi, të financuar nga EBA dhe Arabia Saudite, në përpjekje për të “reduktuar ndërhyrjen turke në favor të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga Kombet e Bashkuara”.
Sipas burimit, zyrtarët e Emiratëve gjithashtu kanë arritur një marrëveshje me nënkryetarin e këshillit ushtarak të Sudanit, Mohamed Hamdan Dagalo, për të furnizuar milicitë e Haftarit me militantë nga Sudani.
Një burim libian i afërt me milicinë e Haftarit ka thënë se “linjat e furnizimit janë duke u zhvilluar nga aleatët tanë në Egjipt dhe EBA përmes kufirit egjiptian për të na mbështetur në betejë”.
Një tjetër burim egjiptian është shprehur se avionët e EBA-së kanë kryer sulme ndaj pozicioneve të forcave të GNA-së në Tripoli.
AA nuk arriti të merrte komente nga Egjipti, EBA, apo Sudani lidhur me pretendimet.
Në fillim të prillit, Haftar, i cili komandon forcat besnike ndaj qeverisë rivale të bazuar në Libinë lindore, filloi një fushatë të gjerë për të marrë nën kontroll kryeqytetin Tripoli nga GNA.
Forcat e tij, megjithatë, kanë dështuar në arritjen e objektivit të tyre kryesor, edhe pse kanë arritur të marrin disa qyteza dhe qytete strategjike në afërsi.
Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e NATO-s çoi në rrëzimin dhe vdekjen e ish-presidentit Muamar Gadafi pas më shumë se katër dekadash në pushtet.
Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në lindje të vendit, me të cilën udhëheq Haftari, dhe GNA e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli, duke shkaktuar po ashtu daljen në skenë të një sërë grupesh militante.


